Herë pas here, heshtja në lidhje me gjendjen e ish-pilotit gjerman Michael Schumacher, 7 tituj kampion bote për të në Formula 1, thyhet nga deklarata e menaxheres Sabine Kehm.
Ajo është personi i vetëm i autorizuar për të dhënë informacione zyrtare në lidhje me gjendjen shëndetësore të pilotit gjerman, në betejë për t’u rikthyer në gjendjen e mëparshme pas aksidentit dy vite më parë teksa bënte ski.
Sipas mediave gjermane, Kehm ka thënë se gjendja e Schumacher ka pësuar përmirësime. “Ne jemi të lumtur të themi se Michael ka bërë sërish progres edhe pse ai është i vogël”, ka thënë Kehm.
Zëdhënësja personale e 7 herë kampionit të botës ka shtuar se periudha e riaftësimit do të kërkojë kohë, pa specifikuar se sa.
“Duke parë shkallën e dëmtimit, mund të them vetëm se rikuperimi do të jetë i gjatë. Jo vetëm për Schumacher, por për të gjithë ne kjo do të jetë një betejë e gjatë. Por, nga ana tjetër, jemi edhe të lumtur që marrim pjesë në këtë sfidë dhe kur shohim progres”, ka shtuar Sabine Kehm.
Një koment për pilotin gjerman ka lëshuar sot edhe Philippe Bianchi, babai i ish-pilotit frances Jules Bianchi, që ndërroi jetë vjet pas një aksidenti. “Shpresoj që një ditë ai ta fitojë betejën, edhe për Jules”, tha Philippe Bianchi.