Site icon Telegrafi

Melita Kallaba – psikiatrja që me vite ndihmoi viktimat e torturës, synon Kuvendin për të përmirësuar jetët e qytetarëve (Video)

Pas më shumë se 18 vitesh kontribut në shëndetin mendor të njerëzve dhe të qënit drejtpërsëdrejti e lidhur me problemet dhe nevojat e tyre, ajo ka vendosur që të bëhet pjesë e politikës kosovare. Synon që përmes vendimmarrjes dhe ndikimit të drejtpërdrejt të bëjë ndryshimet thelbësore në vend.

Është kjo mjekja psikiatre Melita Kallaba, kandidate e LDK-së për deputete në Kuvendin e Kosovës.

“Si qytetarë të gjithë i shohim gjërat të cilat na pengojnë. Mirëpo, si individë e kemi të vështirë të ndikojmë në ndryshime. Prandaj, një nga mënyrat për të ndikuar në ndryshimet pozitive është kyçja në një subjekt politik që na lejon këtë ndikim të drejtpërdrejt”, thotë Kallaba.

Si një votuese e përhershme e LDK-së, ajo ka zgjedhur këtë parti për të cilën thotë se ka besim.

“Në LDK ka individë që me seriozitet punojnë për shtetndërtim”, thotë ajo. “Aty e shoh një grup të njerëzve të sinqertë , punëtorë, të pakorruptuar e të aftë që ta ndërtojnë një shtet”.

Kontributi i saj në shoqëri është evident dhe i pakursyer. E, kush më mirë se një psikiatre mund të kuptojë dhe zgjidh problemet e njerëzve.

Ajo me vite është marrë me trajtimin e viktimave në Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës. Kallaba thotë se përvoja e deritanishme e ka rritur dëshirën për të përmirësuar jetët e njerëzve.

Ndërkaq, nga ulësja e deputetes, Kallaba zotohet se do të jetë e zëshme në njërën prej sferave që lë shumë për të dëshiruar në Kosovë – sistemin shëndetësor. Mosfunksionimin e këtij sektori ajo ia faturon institucioneve të vendit të cilat, sipas saj, kanë bërë shumë pak për këtë kategori.

“Mos organizimi ka bërë që qytetarët të vuajnë pasojat, ndërsa mjekët kujdesen për përfitime personale – pavarësisht profesionit që si bazë ka humanizmin”, thotë ajo, teksa shton se kontributi i saj do të tejkalojë atë shëndetësor.

Roli i grave në shoqëri dhe vendimmarrje për kandidaten për deputete është i një rëndësie të lartë. Ajo madje thotë se gratë në politikë mund të bëjnë ndryshimin përtej gjërave që mund t’i shohin meshkujt.

Kallaba ka theksuar se ka guxim për ndryshme e se guximi i saj i ka rrënjët në familje. Ndaj, shprehet me nder se është vajza e xhaxhait të pilotes Faruza Kallaba, e cila është edhe femra e parë pilote shqiptare, madje në Ushtrinë amerikane, e cila gjatë intervenimit 78-ditësh të NATO-s mbi caqet serbe në Kosovë, furnizonte aeroplanët bombardues, në fluturim.

Krejt në fund, ajo është shprehur e bindur se koalicioni i LDK-AKR-Alternativa do të jetë fitues i zgjedhjeve të 11 qershor.

Melita Kallaba është kandidate për deputete nga LDK-ja dhe mban numrin 78. /KosovaPress/

Exit mobile version