Telegrafi

Mediet serbe gënjejnë rreth postimit të Hajrullahut për protestën kundër Vuçiqit në Beograd

Mediet serbe të cilat bashkëpunojnë pushtetin e presidentit Aleksandar Vuçiq edhe kësaj radhe vazhdojnë të gënjejnë duke shtrembëruar deklaratat e gazetarëve të medieve në Kosovë.

Redaktori i portalit shqiptar mezi pret protestat në Beograd”, është titulli i B92, medie e afërt me regjimin e Vuçiqit, duke gënjyer lidhur me postimin e bërë në Twitter nga kryeredaktori i Telegrafit, Muhamet Hajrullahu.

Hajrullahu në profilin e tij, duke publikuar një foto nga protesta kundër Vuciqit në Beograd, ka shkruar se “ja paskan dridh themelin Vuçiqit në Beograd sot, po get i ka ardhur fundi”, në vend “Dridhet Vuçiqi, i erdh fundi” që pohohet nga B92.

Pas këtij lajmi, Hajrullahu ka kërkuar nga kjo medie që mos t’i keq transmetohen deklaratat, e që herave tjera të mos përdoret Google Translate në përkthimin e citateve.

“Hej, B92 ‘faleminderit’ për vëmendjen tuaj! Por herën tjetër kur të më citoni, të paktën gjeni një përkthyes të mirë dhe bëjeni atë profesionalisht – nëse e dini se çfarë është citimi profesional. Mos i përktheni tweetat e mia në Google Translate dhe ndaloni duke bërë lajme të rreme”, thuhet në reagimin e tij.

Kujtojmë se gjatë të shtunës, në qendër të Beogradit, dhjetëra mijëra persona protestuan nën sloganin “Serbia kundër dhunës”. Kjo protestë u thirr nga opozita dhe është e katërta e këtij lloji që organizohet në Serbi, për të kundërshtuar përgjigjen e Qeverisë pas dy sulmeve masive që ndodhën në maj në këtë shtet, kur u vranë 18 persona. /Telegrafi/