Vetëm një ditë para kësaj ndeshje të rëndësishme për të dy skuadrat në kuadër të kualifikimeve për EURO 2016, ‘Tipsbladet.dk’ është fokusuar në tre profilet shqiptare, që sipas saj mund të bëjnë ndryshimin kundër Danimarkës.
“Jo shumë emra janë të njohur nëse hedh sytë e tu mbi kombëtaren e Shqipërisë. Por kjo nuk do të thotë se nuk do të shohim lojtarë kualitativë kundër Danimarkës, në mbrëmjen e së shtunës në Elbasan. Shqipëria ka disa lojtarë të fortë, që mund të bëjnë ndryshimin, ndoshta jo aq mjaftueshëm sa për t’i bërë ndonjë surprizë të hidhur Danimarkës në një ndeshje eliminatore të Kampionatit Evropian. Ne jemi fokusuar te tre lojtarë interesantë shqiptarë, të cilat mund të jenë vendimtarë në betejën e së shtunës.
Kapiten dhe luftëtar
Lorik Cana është ndoshta profili kryesor i Shqipërisë. Kapiteni është një mbrojtës i fortë, i cili gjatë viteve ka bërë një figurë të mirë për Lazion në Seria A.
Cana, gjithashtu, ka luajtur në klubet e mëdha si PSG, Marsejë, Sunderland dhe Galatasaray. Një “CV” e tij e pasur, kështu që kemi të bëjmë me lojtar të nderuar dhe me përvojë. 31-vjeçari Lorik Cana ka luajtur 77 ndeshje me kombëtaren A shqiptare, ndërsa është votuar si ‘Lojtari i Vitit’ tri herë.
Ai është i njohur si një luftëtar në fushën e blertë, ndërsa jashtë futbollit është intelektual dhe ka shfaqur interes të veçantë për arkeologjinë e historinë.
Portieri Berisha
Te Lazio, Lorik Cana ka edhe një koleg të kombëtares. Ai është portieri Etrit Berisha.
Të dy pjesë titullare e klubit italian dhe ekipit kombëtar shqiptar. Berisha ka një histori në futbollin suedez, por ka shkuar në Itali në vitin 2013.
Ai luajti 23 ndeshje në sezonin e shkuar me kryeqytetasit e Romës. Në sezonin aktual, 25-vjeçari ka insistuar për të qenë titullar te Lazio në ndeshjet e fundit. Veçanërisht në ekipin kombëtar është titullar i padiskutueshëm, është një pikë e fortifikuar dhe e sigurt.
Berisha e mbajti të pastër portën e tij në një ndeshje të vështirë kundër Portugalisë, të luajtur në shtator, dhe është një portier në rritje. Është votuar ‘Portieri i Vitit’ në Suedi, në vitin 2013, ndërsa ka shkëlqyer në shumë ndeshje edhe në Itali, sezonin e kaluar.
Rama ‘Ronaldo i shqiptarëve’
Është një video në YouTube, ku mesfushori Valdet Rama quhet ‘Ronaldo i Kosovës’. Ai është aty për një arsye.
Anësori 26-vjeçar është krijues dhe agresiv, ndërkohë që ka udhëtuar goxha në karrierën e tij. Në moshën 9-vjecare iku me familjen e tij nga ish-Jugosllavia për në Gjermani, ku u rrit dhe më vonë iu bashkua klubit të Bundesligës, Hannover 96.
Ai ka qenë gjithashtu pjesë e futbollit suedez në të kaluarën. Sezonin e kaluar ishte duke luajtur në La Liga për Valadolidin.
Tani është kthyer në futbollin gjerman, te klubi i Bundesliga 2, Munich 1860.
Nuk ka dyshim se potenciali i tij është driblingu. Nuk ka ende një rol të rregullt në ekipin kombëtar, por mund të bëhet i rrezikshëm në rolin e ‘xhokerit’. /KP/