Telegrafi

Mediat britanike, Prishtina probleme me vizat për Gjibraltar

Kundërshtarët e mundshëm të Glasgow Rangers në Ligën e Evropës, FC Prishtina po has në vështirësi në sigurimin e vizave për ndeshjen e dytë kthyese me St Josephin.

Prishtinasit do të takohen me skuadrën nga Gjibraltari gjatë ditës së nesërme në stadiumin Fadil Vokrri, por po kanë probleme në sigurimin e vizave për ndeshjen kthyese në këtë vend bregdetar.

Presidenti i klubit bardhekaltër, Remzi Ejupi pranoi se është i shqetësuar për situatën e krijuar para takimit të dytë.

“Unë jam shumë i shqetësuar rreth problemeve në marrjen e vizave për lojtarët dhe stafin sesa për rezultatin kundër St Joseph’s. Ne luajmë ndeshjen e kthimit në Gjibraltar javën e ardhshme, por ende nuk kemi asnjë shenjë se do të marrim vizat”, tha ai, raporton thescottishsun.

“Kemi shkuar përmes Mbretërisë së Bashkuar, por na kanë thënë të aplikojmë përmes Gjibraltarit, por ende nuk kemi asgjë. Ne jemi të shqetësuar dhe nuk është e drejtë që një klub si i yni në një garë të rëndësishme evropiane, duhet të shqetësohet për një çështje si vizat”.

“Në fushë, besoj që duhet të kualifikohemi për raundin tjetër dhe të luajmë kundër Rangersit. Por, jashtë fushës po qëndrojnë problemet”, tha ai.

Ndryshe, takimi i dytë mes këtyre dyja skuadrave do të zhvillohet më 2 korrik (e enjte) në stadiumin Victoria, i cili ka kapacitet prej dymijë ulësesh. /Telegrafi/