Qyteti i Romës ka një kulturë moderne, në mes të bashkëkohores dhe të lashtës, duke krijuar një mes të artë. Këtu kemi një përzierje me plotë vlera, si në art, ushqim dhe muzikë, por e njëjta gjë mund të thuhet edhe për sportin romak, i cili ka një ikonë të gjallë.
Të gjithë kanë një idhull, lider apo kapiten, i cili është udhërrëfyes i tyre, por një gjë është e sigurt, për romakët ai është Totti, i cili është pjesë e tyre që nga debutimi në vitin 1992. Vitet kalojnë dhe futbolli është bërë gjithmonë më modern, por jo dhe shpirti i kapitenit romak.
Roma është një vatër e futbollit, ku shumica mbështesin klubin, pasi është një skuadër dhe shoqëri që ka potencial të madh. Klubi ka fituar ligën vetëm tri herë, por kjo i ka bërë tifozët vetëm më besnikë. Aq shumë Giallorossët e përkrahin skuadrën e tyre, sa presidenti James Pallotta në të kaluarën i kishte fajësuar ata për mossuksesin e skuadrës duke thënë se ata po u bëjnë presion të madh lojtarëve.
Dhe e gjitha kjo mund të ketë kuptim duke shpjeguar fenomenin romak ‘a.k.a’ Francesco Totti. Pika më e përfolur e javës së kaluar në mediat botërore ishte ai dhe goli i tij i 300-të kundër Sassuolos dhe kjo është një arritur e madhe, pasi të gjithë këta i ka shënuar për klubin e zemrës.
‘Il Capitano’ i Romës është ndryshe nga Javier Zanetti i Interit apo Paolo Maldini i Milanit, Del Piero i Juventusit, Steven Gerrardi i Liverpoolit, Ryan Giggs i Manchester Unitedit dhe Iker Casillasi i Real Madridit.
Zanetti kishte fatin të luajë në një klub të suksesshëm me plot yje të klasit botëror, plus ai është nga Argjentina. Uellsiani Giggs ka fituar gjithçka çka fitohet me Unitedin, por suksesi i tij ishte i ndihmuar nga lojtarët cilësorë që kishte në krah gjatë viteve. Maldini erdhi te Milani me një emër të madh dhe kështu fillimi i tij ishte i privilegjuar nga emri i babait. Kurse Steven Gerrard është krahasimi më i afërt, por tani ai luan në MLS dhe këtu ndalet krahasimi, pasi fanella e dytë e veshur e bën diferencën. Derisa dicka e ngjashme mund të thuhet edhe për Del Pieron dhe Casillasin, të cilët klubet e tyre i larguan kur nuk kishin më nevojë për ta.
Për tifozët e Romës, klubi është gjithçka, Totti është romak i vërtetë, është kapiteni i tyre dhe kështu ai është vetë ROMA. Ashtu si në kohët e lashta që populli dhe qyteti komandohej nga dikush, tani e komandon Totti.
Për shumë trajnerë ai ishte një ‘Joker’, pasi në momente të caktuara ishte i aftë të vendoste ndeshjen i vetëm. Gjithsesi, tani mosha e ka bërë të veten dhe është detyruar të heqë dorë nga përgjegjësi të atilla, tani është ulur në bankën rezervë dhe nga aty motivon dhe komandon bashkëlojtarët e tij.
Kapiteni është edhe një ambasador i UNICEF-it dhe atë shumë i devotshëm, kjo lë për të kuptuar se e ardhmja e tij do të jetë gjithmonë me futbollin. Ndoshta si trajner, apo njeri i cili do të promovojë brendin e Romës, pasi aktualisht ai është më i madh dhe më i njohur sa e gjithë marka e klubit në botë.
Kjo tregohet më së miri edhe në miqësoren dhe përballjen në Ligën e Kampionëve, ku përqafimi i tij me Lionel Messin, kishte vlerë më të madhe se gjithë takimi.
Zakonisht për heronjtë flitet kur ata vdesin apo dalin në pension, por kjo ndryshon të Francesco, pasi ai është një legjendë e llojit të vet, e cila nuk ka një definicion dhe është vështirë e shpjegueshme edhe nëse shfletojmë librat më të vjetër të historisë romake.
Klubi i Romës, Italia dhe tifozët e saj, as në ëndrra nuk do të kishin një lojtar të tillë dhe dashura e tij është aq e madhe, saqë me klubet që i ka refuzuar mund të bësh një ligë. /Telegrafi/