Telegrafi

Me gjirin e nënës

mr. sci. dr. Muharrem Avdiu, pediatër
tel. 044 173 521

Gjiri i nënës është ushqim natyral për fëmijën. Te lindja e parë qumështi vjen ditën e tretë paslindjes, të shumtën e herëve, më rrallë ditën e katërt, në lindjet vijuese qumështi vjen ditën e dytë.
Qumështi i parë është kulloshtra (colostrum), e që është përmbajtje e dendur me ngjyrë të verdhë, me vlerë të konsiderueshme ushqyese. Është qumësht i pasur me proteine, i varfër me yndyra, ndërsa ngjyra e verdhë vjen prej karoteneve.
Mund të thuhet se çdo gjë që i mungon foshnjës ditëve të para të paslindjes gjendet në këtë qumësht. Për nga përbërja konsiderohet kompleks, që i përmban faktorët e rritjes dhe të maturitetit, asisoj që fëmija në asnjë fazë të jetës nuk bën rritje më intensive dhe zhvillim poashtu intensiv se muajve të parë të paslindjes. Kjo përbërje ditëve të para është mesatarisht e pranishme në masën 40 mL (30-120 mL), përmban shumë qeliza të gjalla, imunoglobuline, të cilat e mbrojnë foshnjën prej shkaktarëve të ndryshëm mikrobialë, siç janë bakteret, viruset, myshqet, etj.
Për këtë fakt, nëna e foshnja, duhet të mbahen bashkë në maternitet, sipas sistemit rooming-in, që pasi të jetë ndërprerë “lidhja e kuqe” (me prerjen e kërthizës), të vendoset e ashtuquajtura “lidhja e bardhë” (lidhja e qumështit). Kjo e fundit zgjat aq sa fëmija të mbahet në gji, mundet të zgjasë deri 3 vjet.

Është e rëndësishme që fëmija ditëve të para të vendoset shpesh në gji edhe për faktin se ndikon te nëna që të sekretohet prolaktina, ndërsa kjo ndihmon ardhjen e qumështit. I rëndësisë është edhe i ashtuquajturi refleksi i “lëshimit” të qumështit ose let down reflex, të cilin e stimulojnë emocionet e mira, ndërsa e inhibojnë ato të këqijat. Me ndihmën e këtij refleksi, sekretohen yndyrat e qumështit, të rëndësishme për të rritur vlerën kalorike të racionit.

Rëndësi ka vendosja e foshnjës në gji, menjëherë pas lindjes (në Norvegji këtë e bëjnë edhe pa ia prerë kërthizën), ndërsa këtij fakti i atribuohet një pjesë e suksesit të laktacionit në atë vend. E rëndësishme është që foshnja të vihet në gji brenda 30 minutave të para të paslindjes. Pikëpamjet e vjetra për laktacionin, që fëmija të mos vihet në gji në 24 orët e para të paslindjes e kanë favorizuar shfaqjen e ablaktacionit para se të ndodhë laktacioni.

Ditëve të para të paslindjes sasia e qumështit të sekretuar është 50 mL ditën e parë dhe, çdo ditë më shumë nga 50 mL, kështu që ditën e dhjetë kjo sasi arrin vlerën e 500 mL.
Pas kulloshtrës, 5 ditëve të para, nis e shfaqet qumështi kalimtar, i cili përmban sasi kulloshtre, por merr edhe performancën e qumështit normal, standard.

Janë të rralla nënat që nuk sekretojnë fare qumësht. Të dhënat nga literatura, por edhe nga studimet vetanake ka dalë se 5% e nënave nuk kanë qumësht për shkak të çrregullimeve të natyrës histologjike që kanë ndodhur në gjinj. Një gjendje e tillë emërtohet agalactio.
Numri i nënave që nuk kanë mjaft gji ose që janë hipogalaktike është më i shumtë. Se sa do të kenë gji në mes tjerash varen nga:
– zbrazja e plotë e gjëndrës së gjirit dhe nuk thuhet kot se stimuluesi më i mirë i gjinjve për të sekretuar qumësht është zbrazja e mirë e tyre, dhe
– nga shpeshtësia e vënies në gji.

Një faktor i rëndësishëm që nëna të sekretojë qumësht është që ajo të përkrahet nga ambienti që e rrethon, në rend të parë nga ana e bashkëshortit, e të afërmve, por edhe nga ana e shërbimit lokal shëndetësor (shërbimi i patronazhit, pediatrit, etj). Në këtë drejtim duhet të formohen qarqe të nivelit nacional dhe të nivelit lokal të njerëzve të profesionit, por edhe të atyre me autoritet e me qëllim të propagandimit të gjidhënies së suksesshme. Më 1991, në Turqi, WHO- mban takim dhe i fuqizon dhjetë rregullat për mendje të suksesshme të cilat i shtrinë organizimet e lartpërmendura nëpër botë, e do të duhej kjo të ndodhte edhe te ne.

Është gabim të preferohen ushqime të tjera, preparate të tjera të dhënies së biberonit (edhe atij mashtrues), dhënies së ujit ose të çajit. Roli i mjekut pediatër në këtë rast është prijatar sepse ai me përvojën e tij dhe qasjen bëhet shtylla kryesore që e stabilizon nënën duke e nxitur ekuivalencën psikologjike në anën e saj.
Faktorë të ndryshëm mund të nxisin ndarjen prej gjirit të foshnjës në 3-mujorin e parë të jetës dhe kjo emërtohet si gjendje e ablaktacionit të hershëm. Në literaturë thuhet edhe kjo: duhet të merret e hendikepuar çdo foshnje dhe çdo nënë nëse ndarja prej gjirit ndodh në 3 muajshin e parë të jetës. Ndërsa, një pediatër francez, ndarjen e foshnjës prej gjirit me sugjerimin e mjekut e quan si vendimin që e merr ortopedi për amputimin e këmbës së një pacienti.
Janë ca pengesa të natyrës deri anatomike që janë ose ndodhin te gjinjtë dhe nuk lënë të ketë gjidhënie të suksesshme. Këto gjendje emërtohen si gjendje të patologjisë së majës dhe gjirit. Këto janë: gjinjtë e fortë, maja e gjirit shumë e madhe, maja e rrafshët e gjirit, maja e gjirit e futur përbrenda. Me durim të madh nga ana e nënës, këto defekte mund të amortizohen ndjeshëm.

Sa duhet mbajtur në gji foshnjën?
Ditëve dhe muajve të parë, nëna e vënë foshnjën në gji sa herë ajo qan. Pas një kohe të caktuar foshnja e vendos një ritëm për t’ u vënë në gji, çdo 2 orë e gjysmë deri çdo 3 orë. Foshnja për 24 orë kërkon të pijë 7-8 herë.
Foshnjën duhet mbajtur në gji 15-20 minuta, 7-8 minuta në njërin gji, 7-8 minuta në gjirin tjetër dhe atë me një renditje: djathtas-majtas herën e parë, pastaj majtas-djathtas herën e dytë, e me qëllim që të ndodhë zbrazja e mirë e gjinjve.
Nëse foshnja mbahet gjatë në gji, ose në njërin gji mund të ndodhë macerimi (rrjepja e majës së gjirit), ndërsa një gjendje e tillë dikton shfaqjen e plasaritjeve (ragadeve), e këto mund të jenë burim për të ndodhur infeksioni, këso mënyre zhvillohet ndezja e gjirit (mastitis), një gjendje shumë e rëndë, të cilën gjë e përjetojnë më shpesh nënat në lindjet e para dhe muajve të parë të gjidhënies. Shumicën e herëve përfundojnë me humbje të laktacionit ose në ablaktacion.

Gjidhënia si një akt human dhe instinkt i fortë fiziologjik duhet të kultivohet dhe të monitorohet kujdesshëm. Nëse kjo nuk ndodh, procesi i komplikuar i laktacionit do të degjenerojë, ndërsa do të kemi më pak fëmije që mbahen në gji.

Duhet përmendur edhe një fakt: në moshën 6-8 javë të foshnjës ndodh një si “krizë e të mbajturit në gji”. Në këtë moshë foshnjat preokupohen me zhvillimet që ndodhin në ambientin për rreth, i akceptojnë zërat, britmat, të qeshurat dhe e lënë gjirin ose “hahen” me gji. Nënat kujtojnë se nuk po kanë gji dhe provojnë t’u japin qumësht artificial, ndërsa kjo bëhet shkak për ndarjen nga gjiri. Zgjidhja bëhet duke e vendosur foshnjën në një kënd të errët e të qetë, kur foshnja nis të pijë dhe koncentrohet në marrjen e gjirit.

Sipas studimeve vetanake, në Kosovë, 40% e foshnjave ndahen prej gjirit në 3 mujorin e parë të jetës. Ky është një fakt notor dhe për ta kritikuar, por edhe për t’i mobilizuar potencialet kombëtare në nivel vendi për ta ndryshuar këtë gjendje fare të pamirë. Fajin e kanë të gjitha nivelet që pak a shumë u zunë në gojë në këtë shkrim.