Drejtuesit e McLaren kanë vendosur që amerikani Zak Brown të jetë drejtori i ri sportiv i makinës britanike, duke zëvendësuar në këtë detyrë Ron Dennis, që e mbante këtë pozicion prej 35 vitesh.
Lajmin e kanë konfirmuar sot drejtuesit e makinës britanike, që kanë vendosur të ndryshojnë kurs për vitin 2017, duke kërkuar të jenë më konkurrues në pistë. Ron Dennis do të jetë ende një nga aksionerët e makinës britanike, ku ka ende 25% të aksioneve.
Brown, 45 vjeç, është një ish-pilot i Formula 3, por ekspert në botën e automobilizmit, duke qenë edhe themelues i shoqërisë së marketingut JMI. Ai do të nisë zyrtarisht detyrën nga 1 dhjetori 2016, pasi të përfundojë edhe gara e fundit e këtij sezoni (të dielën në Abu Dhabi).
“Emërimi i tij është pjesë thelbësore e një programi ristrukturimi që McLaren po bën në aspektin komercial dhe strategjik të grupit, për të arritur suksese në Formula 1”, thuhet në deklaratën e McLaren. /telesport/