Telegrafi

Mbrojtësi që po i rivalizon sulmuesit në Ligën e Evropës – Tavernier kërkon finalen dhe ‘Këpucën e Artë’ në këtë garë

Kur flasim për një mbrojtës që shënon gola, të gjithëve na shkon mendja te Sergio Ramos, i cili dërgonte shpesh topin në rrjetë, në mënyra të ndryshme, nga penalltitë te goditjet me kokë dhe ato nga goditjet e dënimit.

Megjithatë shumë pak dinë për mbrojtësin e djathtë James Tavernier, që luan te Glasgow Rangers, i cili në pesë sezonet e fundit ka shënuar 62 golave.

Ai edhe mbrëmjen e djeshme në Ligën e Evropës kundër Bragës, u shfaq si protagonist kryesor në kualifikimin e skocezëve për në gjysmëfinalet e kompeticionit.

Tavernier shënoi dy gola dhe u ngjit në krye të listës së golashënuesve të Ligës së Evropës me 6 gola në total, po aq sa Togo Ekambi i Lyonit dhe Galeno i Bragas.

Por këta dy të fundit janë eliminuar nga gara dhe nuk do të kenë mundësi të vijojnë garën.

I lindur në Brentford të Anglisë, 30-vjeçari iu bashkua Rangers në sezonin 2015-2016 dhe tani mban edhe shiritin e kapitenit.

AI ka shënuar një total prej 79 golash në 338 ndeshje, shifra këto për t’u pasur zili nga shumë sulmues.

Që në sezonin e tij të parë me klubin skocez, Tavernier tregoi nuhatjen e tij për golin, pasi shënoi 15 herë në 50 ndeshje, teksa vlen të theksohet se vetëm në 3 nga 7 sezonet, e ka mbyllur me numër një shifror golash të shënuar.

Në gjysmëfinale Rangers do të përballen me klubin gjerman RB Leipzig dhe objektivi i Tavernier do të jetë padyshim gjetja e golit, për të çuar skocezët në finale dhe në të njëjtën kohë, për të shkruar historinë si i pari mbrojtës që fiton betejën si golashënues i kompeticionit. /Telegrafi/