Telegrafi

Mbreti Mohammed VI telefonoi Regraguin dhe Saissin pas humbjes nga Franca

Mbreti i Marokut, Mohammed VI e ka telefonuar trajnerin e kombëtares së futbollit, Walid Regragui, pas humbjes nga Franca në gjysmëfinale të Kupës së Botës në Katar, raportojnë mediat marokene.

Maroku është skuadra e parë afrikane që hyn në top katërshe në Kupën e Botës.

Mbreti falënderoi dhe përgëzoi Regraguin dhe lojtarët për gjithçka që kishin bërë në turne, duke e quajtur udhëtimin e tyre një “arritje të shkëlqyer”.

Ai e vlerësoi trajnerin pasi arriti të krijojë një ambient miqësor pasi mori postin disa muaj më parë me largimin e Vahid Halilhodzic dhe theksoi se marokenët në Katar treguan “shpirt sportiv”.

Ai foli me kapitenin Romain Saissa dhe i uroi atij një shërim të shpejtë nga lëndimi dhe vlerësoi mënyrën se si i drejtoi shokët e tij të skuadrës në kompeticion.

Kujtojmë se Maroku fitoi vendin e parë në grup përpara Kroacisë. Eliminoi Spanjën me penallti dhe më pas Portugalinë në çerekfinale.

Pas humbjes nga Franca, ata do të luajnë kundër Kroacisë për vendin e tretë. /Telegrafi/