Poezi nga: Victor Hugo
Përktheu: Sotir Caci
Kam dalë e jam ulur te praku
Në orën e muzgut të qetë
Dhe shoh si punon fusharaku
Gjer vonë, në dritën e zbetë.
Në dherat e zhytur në hije
Sodit i malluar, fshatarin
Si farën në brazat e shtije
Që, nesër, ta mbushi hambarin.
Në fushën e gjerë sundon
Figura e tij simbolike:
Me veprën e vet na tregon
Të punës fuqinë jetike.
Me çapin ritmik po baret
Dhe vete e vjen nëpër arë,
Ngre dorën, hap grushtin dhe heth
Në gjirin e tokës farë.
Pëlhurëzat nata po shtiell
Qëndisur me gurë të shtrënjtë;
Të duket se ngre gjer në qiell
Të mbjellësit gjestin e shënjtë.