Themelimi i tregut të përbashkët energjetik Kosovë-Shqipëri pritet të finalizohet në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive që do të mbahet në 27 nëntor, në Korçë.
Lajmi u bë i ditur sot gjatë një takimi mes ministrit të Zhvillimit Ekonomik Valdrin Lluka dhe ambasadori i Shqipërisë në Prishtinë, Qemal Minxhozi.
Në këtë takim Lluka dhe Minxhozi biseduan për bashkëpunimin e dy vendeve në sektorët, që janë përgjegjësi e MZHE-së, me theks të veçantë në energjetikë, përkatësisht themelimin e tregut të përbashkët energjetik, për të cilin po përgatiten dokumentet e nevojshme, që pritet të finalizohen në takimin e përbashkët ndërmjet qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, theksohet në njoftimin për shtyp të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik të Kosovës.
Sipas njoftimit, me qëllim të funksionalizimit të tij është i domosdoshëm aktivizimi i linjës së interkonjeksionit Kosovë-Shqipëri, e cila po bllokohet nga Serbia.
Për këtë çështje, ministri Lluka kërkoi angazhim dhe lobim më të madh nga Shqipëria, që ky problem të tejkalohet sa më shpejt.
Ministri Lluka falënderoi ambasadorin Minxhozi për bashkëpunimin e përhershëm me Shqipërinë, e veçanërisht në fushën e energjisë.
Ndërsa, ambasadori Minxhozi ka rikonfirmuar mbështetjen e Tiranës drejt zhvillimit ekonomik, projektet energjetike ato të fushës së minierave duke qenë se te dyja vendet kanë kapacitete gjeneruese në sektorin energjetik dhe atë minerar.
Ministri Lluka dhe ambasadori Minxhozi, janë pajtuar që së bashku me qeverinë shqiptare të shtyjnë para agjendën e projekteve të përbashkëta./BallkanWeb/