Site icon Telegrafi

Mbingarkesa në Trafikun Urban, kryeqyteti ende në pritje të autobusëve të rinj

foto ilustruese

Autobusët e Trafikut Urban në Prishtinë po përballen me mbingarkesë të vazhdueshme, duke krijuar një problem për qytetarët dhe për sistemin e transportit publik në qytet.

Qytetarët që përdorin autobusët e trafikut publik, kanë shprehur shqetësimin e tyre duke thënë se janë të detyruar të udhëtojnë në kushte të vështira, duke qëndruar në këmbë gjatë udhëtimit, për shkak të fluksit të madh të udhëtarëve. Ky problem është veçanërisht i dukshëm gjatë orëve të paraditës dhe pasdite.

Në lidhje me këtë situatë, Telegrafi ka kontaktuar me Trafikun Urban, të cilët kanë sqaruar se çdo autobus ka kapacitet për të mbajtur deri në 102 udhëtarë.

“Ju njoftojmë se kapacitete e autobusit lejojnë të qëndrojnë brenda në autobus 102 qytetarë dhe prej tyre 34 ulur dhe 68 në këmbë”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Gjithashtu, kjo kompani bën të ditur se  “Ardhja e autobusëve të rinj është në fazën e fundit të procedurave”.

Më herët, Trafiku Urban ka njoftuar se brenda ditës kanë rreth 35 mijë udhëtarë. Kryeqytetit pritet t’i shtohen rreth 30 autobusë të rinj./Telegrafi/

 

Exit mobile version