Mbrëmë ka nisur edicioni i 43-të i festivalit mbarëkombëtar të këngës “Cicërrimat buzë Ibrit” në Mitrovicë.
Ky festival mbarëkombëtar u dedikohet fëmijëve, ku edhe këtë vit përmes këngëve të tyre ata përcollën shumë emocione, shkruan Telegrafi.
Drejtoresha artistike e këtij festivali mbarëkombëtar, Lirije Halili – Koshi, në një prononcim për Telegrafin ka thënë se “Cicërrimat buzë Ibrit” është themeluar në vitin 1981.
Ajo ka thënë se festivali ka traditë shumë të gjatë dhe se realizohet përmes vullnetit të shoqatës së muzicientëve të Mitrovicës e institucioneve përkatëse.
“Ka një traditë shumë të gjatë, me vullnetin e shoqatës së muzicientëve të Mitrovicës e mbajmë gjallë këtë festival, por edhe me përkrahje të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Mitrovicës”, ka thënë Halili – Koshi.
Drejtoresha artistike është shprehur optimiste se vitet e ardhshme do të jenë më të mira në aspektin teknik.
“Ja dolëm mirë edhe këtë radhë, por besoj që vitet e ardhshme do të jenë më të mira në aspektin teknik”, ka shtuar ajo.
Halili – Koshi ka theksuar se festivali mbarëkombëtar “Cicërrimat buzë Ibrit” nuk e ka vendin aty ku e meriton, duke filluar nga fakti që ky festival ende nuk e ka një objekt të vetin, transmeton Telegrafi.
“’Cicërrimat buzë Ibrit’ nuk e kanë vendin e duhur për aktivitetin që e bëjnë. Ende nuk e ka një objekt që u takon sepse ky gati është një institucion në veti nëse i kalon të gjitha këto vite. Këtë e kemi si pengesë pak, por besoj që rregullohet”, ka potencuar drejtoresha artistike.
Më tej ajo ka treguar se ky festival mbarëkombëtarë e ka një “dëshirë të madhe” të zbuloj talent të ri të muzikës dhe pastaj t’i promovoj ata në format më adekuate.
Në këtë edicion garuan dhjetëra fëmijë, të cilët ishin të ndarë në dy kategori.
Në kategorinë e parë, çmimin e parë e fitoi Alena Gjosha, çmimin e dytë Erina Veseli dhe çmimin e tretë Dalina Haxhiu.
Ndërsa, çmimin “RTK” e fitoi Nina Abrashi, çmimin “Paraqitje skenike” e fitoi Erina Kadri, çmimin “Deputanti” e fitoi Anita Zhilivoda dhe çmimin e publikut e fitoi Medina Veseli.
Në kategorinë e dytë, çmimin e parë e fitoi Letisia Dyrmja, çmimin e dytë Inara Spahiu dhe çmimin e tretë Luna Gjosha.
Ndërsa, çmimin “Teksti më i mirë” e fitoi Unik Begu, çmimin “Kompozimi më i mirë” e fitoi Esma Ukshini, çmimin “Orkestrimi më i mirë” e fitoi Bora Salihu dhe çmimin “Deputanti” e fitoi Anesa Hajra. /Telegrafi/