Misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në bashkëpunim me Komunën e Gjilanit, mbajtën takimin për bashkëpunim ndërkomunal ndërmjet këshillave komunale për siguri në bashkësi të Gjilanit dhe komunave për rreth.
Nga ky takim, Basri Shkodra, komandant i Stacionit Policor Kufitar Dheu i Bardhë, tha se situata e sigurisë gjatë këtij viti në Pikën Kufitare Dhe i Bardhë ishte stabile, derisa theksoi se në këtë pikë kufitare, kanë kaluar mbi 1.6 milion qytetarë me mbi 600 mijë automjete.
“Gjatë nëntë muajve të parë të këtij viti ka pasur rënie të kriminalitetitnë zonën tonë kufitare. Nga 1 janari deri me 30 shtator 2024 në Pikë Kalimin Kufitar Dheu i Bardhë, kanë kaluar mbi 1.6 milion qytetarë me mbi 600 mijë automjete”, tha Basri Shkodra.
Ndërsa, nënkryetarja e Komunës së Gjilanit, Leonora Morina Bunjaku, tha se rëndësia e këtij takimi është e madhe, pasi po diskutohet me komunat fqinje lidhur me aspektet e rendit, sigurisë dhe çështjeve të përbashkëta, si qenët endacakë, menaxhimi i mbeturinave, sigurimi i uiit të pijes e të tjera.
“Bashkëpunimi dhe veprimi ndërmjet komunave tona nuk ka munguar, por se do të forcohet edhe më shumë në të ardhmen”, tha Morina Bunjaku.
Nënkryetarja e Gjilanit, theksoi se misioni i të gjithëve ështê përmirësimi i rendit dhe sigurisë së të gjithë qytetarëve pa dallim. /Telegrafi/