Franca kaloi me lehtësi në çerekfinale të Kampionatit Botëror, aty ku do të luajë kundër Anglisë falë performancës së Kylian Mbappes që kishte paraqitje brilante ndaj Polonisë në fitoren 3-1 në 1/8 e fundit.
Këtë herë, superylli i Trekolorëve u paraqit në një konferencë për shtyp pas ndeshjes.
Kylian Mbappe mori çmimin e lojtarit të ndeshjes në tre takime radhazi dhe, për herë të parë, shkoi në konferencën, duke kursyer kështu federatën franceze nga një tjetër gjobë prej FIFA-s.
“Do ta paguaj gjobën sepse nuk mendoj se federata duhet të paguajë në emrin tim”, deklaroi fillimisht anëtari i Paris Saint-Germain.
“Nuk është asgjë kundër juve gazetarëve në veçanti, unë dua të përqendrohem në futbollin tim”.
Mbappe bëri të ditur se ai dëshiron të fokusohet më shumë në Kampionatin Botëror, se sa të ketë një prononcim për media, por rregulloret e FIFA-s thonë se lojtarit që ka fituar çmimin e më të mirit në një ndeshje, duhet të thotë ca fjalë para mediave. /Telegrafi/