Site icon Telegrafi

Mbappe komplimenton ‘lirinë’ që Giroud i jep atij – gjë që mund t’i sjellë telashe Benzemas

Kylian Mbappe ka thënë se ka më shumë liri kur luan me Olivier Giroudin, i cili shkëlqeu sërish për Francën në vend të Karim Benzemas.

Sulmuesi i Milanit, Giroud, u bë golashënuesi më i vjetër i Francës në moshën 35 vjeç e 357 ditë kur shënoi me kokë në fitoren 2-0 ndaj Austrisë në Ligën e Kombeve.

Goli gjithashtu i dha fund një serie shqetësuese prej katër ndeshjeve pa fitore për Les Blues dhe tani Giroudit i duhen edhe dy gola për të thyer rekordin me 51 gola ​​të Thierry Henry, si golashënuesi më i mirë i vendit të tij.

Së bashku me Giroud, sulmuesi i Paris Saint-Germain, Mbappe shënoi golin tjetër gjatë fitores 2-0 dhe i dha merita sulmuesit të Milanit.

“Kam shumë më tepër liri këtu. Trajneri e di se ka një numër nëntë si Olivier që mban mbrojtjen”.

“Unë, mund të vrapoj përreth, të futem në hapësirë, të kërkoj topa… Në Paris, nuk është kështu, është ndryshe, më kërkohet të bëj pivotin. Jam shumë i kënaqur me ndeshjen e sotme”, ka thënë ai fillimisht.

I pyetur për kiminë e tij mbresëlënëse me Giroud, Mbappe tha. “Po, kjo është e mrekullueshme. Kishte edhe disa me Antoine [Griezmann]”.

“Ai ishte më lart në fushë, ne ishim në gjendje të shikonim pa u shkëputur nga pjesa tjetër e ekipit. Jemi shumë të lumtur, tani duhet ta konfirmojmë. Është edhe Karimi që do të kthehet, të shohim si do të shkojë”.

“Olivier Giroud na bëri sërish një nder sot dhe shpresoj se do ta bëjë edhe të dielën”, ka thënë Mbappe./Telegrafi/

Exit mobile version