Kylian Mbappe duket se është i gatshëm të qëndrojë te Paris Saint-Germain, mirëpo që atij duhet t’i plotësohen disa kushte.
Francezi 20-vjeçar është duke u kërkuar nga Real Madridi dhe Barcelona në këtë verë, andaj skuadra franceze duhet t’i plotësojë atij disa kërkesa në mënyrë që të mos largohet nga “Parku i Princave”.
Sipas gazetarit Duncan Castles, sulmuesi i ka kërkuar PSG-së që t’i sigurohet pozicioni i numrit 9-të në fushë, dëshiron t’i gjuajë penalltitë dhe dëshiron ta ndryshojë formacionin në 4-4-2.
“Mbappe ndihet se është duke u injoruar nga rëndësia që ka Neymari te PSG-ja dhe në fushë”, ka thënë gazetari i njohur në një intervistë për Transfer Ëindoë Podcast.
“Francezi ka kërkuar që t’i sigurohet pozita e numrit 9-të në fushë, si sulmues qendror, para Edinson Cavanit dhe Neymarit, pasi nuk luan shpesh aty. Ai dëshiron ta pozicionojë veten si sulmues qëndror”.
“Ai dëshiron ta marrë gjuajtjen e penalltive, pasi ishte shumë afër ta fitonte Këpucën e Artë në Evropë. Ai beson se nuk e arriti atë gjë për shkak që nuk i kishte gjuajtur disa penallti në sezonin e kaluar”.
“Poashtu, dëshiron ta ndryshojë formacionin te PSG-ja. Dëshiron të luajë në formacionin 4-4-2, duke iu dhënë hapësirë më e madhe në sulm, që ngjan në formacionin kur luante te Monaco”, ka shtuar më tej Castles.
Mbappe ka shënuar sezonin e kaluar 39 gola në të gjitha garat, përfshirë këtu 33 golat e shënuar në Ligue 1 në edicionin e kaluar. /Telegrafi/