Telegrafi

Mbappe e trullosi një tifoz duke e goditur me top gjatë nxehjes, menjëherë vrapoi drejt tij për t’i kërkuar falje

(Foto: Screenshot/Twitter)

Kylian Mbappe ka vrapuar drejt një tifozi francez, pasi e kishte goditur aksidentalisht me top para ndeshjes gjysmëfinale kundër Marokut.

Anësori i Les Bleus ishte duke i testuar goditjet e tij gjatë nxehjes për sfidën në Al Bayt Stadium që vendos finalistin.

Mirëpo, në njërën prej tentativave, ylli i Paris Saint-Germainit e dërgoi topin në tribuna duke e goditur në fytyrë një tifoz.

Tifozi i pafat u trullos keq nga goditja e fuqishme dhe e kapi hundën për të parë nëse ajo ishte gjakosur. Por, për fat të tij, gjuajtja nuk i nxori gjak.

Reagimi i Mbappe ishte i menjëhershëm. 24-vjeçari shkoi për ta ndihmuar tifozin e trullosur duke ia kapur krahun dhe i kërkoi falje. /Telegrafi/