Gjatë ditës së sotme është mbajtur seanca e rregullt të Kuvendit të Komunës së Mitrovicës, njëherit seanca e fundit për këtë vit.
Seanca është mbajtur nën drejtimin e kryesueses, Vesa Broja, në prani të nënkryetarit të komunës, Arian Tahiri, asamblistëve dhe drejtorëve komunal, shkruan Telegrafi.
Broja fillimisht ka propozuar rendin e ditës për miratim, e më pas këshilltarët komunal aprovuan këtë rend dite.
“Në fillim të kësaj seance, kryesuesja znj. Broja, propozoi rendin e ditës për miratim, me ç’ rast këshilltarët komunal me shumicë votash aprovuan këtë rend dite”, thuhet në njoftim.
Në vazhdim u miratuan këto pika: miratimi i procesverbalit nga mbledhja e kaluar, draft-rregullore për plotësim-ndryshimin e Rregullores Nr. 01/2022 për Organizimin, Kompetencat dhe Përgjegjësitë e Administratës Komunale, propozim vendim për miratim të vendimit paraprak për publikim të listës së përgjithshme të pronave të paluajtshme të komunës si dhe listën e veçantë të pronave të cilat planifikohen për dhënie në shfrytëzim gjatë vitit 2025, propozim vendim për subvencionim të përfituesve të familjeve nga skema e ndihmës sociale në Komunën e Mitrovicës së Jugut, propozim vendim për emërimin e komisionit për përzgjedhjen e drejtorit /zv.drejtorit në institucionet e arsimit, propozim vendim për zëvendësim te anëtares se komitetit për shërbime publike, Blerta Kollani Hajra. /Telegrafi/