Komuna e Vushtrrisë ka organizuar garën e eseve me temën “Roli i mësimdhënësve në edukimin e brezave ndër vite”, në kuadër të “Javës për Barazi Gjinore” dhe Festave të Marsit.
Në këtë garë morën pjesë nxënës nga tri shkolla të mesme të qytetit të Vushtrrisë: Gjimnazi “Eqrem Çabej”, SHMLP “Bahri Haxha” dhe SHMLT “Lutfi Musiqi”, shkruan Telegrafi.
Esetë janë vlerësuar nga një juri profesionale, e përbërë nga mësimdhënësit Mentor Hajrizi, Mentor Mani, Minire Berisha Tërbunja dhe zyrtarja për Barazi Gjinore në Komunën e Vushtrrisë, Remzije Zekolli.
Fituesit e garës janë: Rita Spahiu nga Gjimnazi “Eqrem Çabej”, Imer Aliu nga SHMLT “Lutfi Musiqi” dhe Fjollë Ukiqi nga SHMLP “Bahri Haxha”.
“Fituesit u shpërblyen me dhurata simbolike nga nënkryetarja e Komunës së Vushtrrisë, Hava Mlinaku, kryesuesja e Kuvendit Komunal, Melihate Basholli Latifi, dhe drejtoresha e Administratës, Hyrie Uka Hoxha”, thuhet në njoftim.
Kjo garë e eseve ka promovuar vlerat e barazisë dhe edukimit cilësor. /Telegrafi/