Telegrafi

Mbahet fushata shëndetësore “përSHËNDETje” në Mitrovicë, qytetarëve i’u ofrohen informacione për shëndetin

Mbajtja e fushatës shëndetësore "përSHËNDETje" në Mitrovicë

Gjatë ditës së djeshme në sheshin “Mehë Uka” në Mitrovicë është mbajtur karvani ose ndryshe fushata shëndetësore “përSHËNDETje”.

Kjo fushatë shëndetësore u mbajt nga ora 11:00 deri në orën 14:00. Përgjatë këtyre orëve, qytetarëve i’u ofruan informacione të rëndësishme për shëndetin siç janë: ekspozimi ndaj tymit të duhanit, konsumimi i alkoolit, aktiviteti i pamjaftueshëm fizik e të tjerë, shkruan Telegrafi.

Pamje nga mbajtja e fushatës shëndetësore

Profesionistët shëndetësor të Qendrës Mjekësore Kryesore Familjare “Dr.Nexhat Çuni” në Mitrovicë dhuruan shërbime shëndetësore për qytetarët përfshirë caktimin e indeksit të masës trupore (BMI), matjen e tensionit, glikemisë e të tjerë.

Fushata shëndetësore “përSHËNDETje” zbatohet nga organizata joqeveritare “Mundësia”, në kuadër të projektit “Kujdesi Shëndetësor i Qasshëm dhe Cilësor” (AQH), i cili financohet nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC).

Pamje nga mbajtja e fushatës shëndetësore

Drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë në Komunën e Mitrovicës, Fahri Shabani, në një prononcim për Telegrafin ka thënë se të gjithë mjekët që ishin të pranishëm në fushatën shëndetësore janë punëtorë të QKMF-së “Dr.Nexhat Çuni”.

Shabani ka thënë se në këtë fushatë shëndetësore të pranishme ishin dhe specialistja e mjekësisë familjare dhe ajo e stomatologjisë së fëmijëve.

“Këtu është specialistja e mjekësisë familjare, specialistja e stomatologjisë së fëmijëve, laborantët dhe infermierët e tjerë të QKMF-së”, ka thënë Shabani.

Ai është shprehur se forma të tilla të organizimit janë shumë të nevojshme dhe të dobishme për të gjithë qytetarët.

“Forma të tilla të organizimit janë shumë të nevojshme, janë në kuadër të vizionit dhe planit tonë për t’i fuqizuar shumë komponentet në parandalimin e sëmundjeve përmes promovimit të shëndetit dhe këshillimit për jetë të shëndetshme”, është shprehur drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë në Komunën e Mitrovicës, Fahri Shabani.

Ndërsa, kryeinfermierja e Qendrës Kryesore Mjekësore Familjare “Dr.Nexhat Çuni” në Mitrovicë, Meleqe Morina, në një prononcim për Telegrafin ka thënë se qëllimi i kësaj fushate shëndetësore është vetëdijësimi i qytetarëve që të kujdesen më shumë për shëndetin e tyre, transmeton Telegrafi.

“Kjo për ne është rutinë sepse është kohë e gjatë që e bëjmë këtë karvan shëndetësor”, ka thënë Morina, duke shtuar se kanë pauzuar gjatë pandemisë për shkak të rrethanave të krijuara gjatë asaj periudhe kohore.

Morina ka thënë se në fushatën shëndetësore bëhet sensibilizimi shëndetësor dhe sipas saj, edukimi shëndetësor kryhet në forma tjera.

“Është shërbimi i edukimit shëndetësor, kjo është ditë që bëhet sensibilizimi, mirëpo edukimi shëndetësor kryhet edhe në forma tjera. Për shembull, shkon nëpër institucione, shkon tek kategoritë e ndryshme të popullatës për të dhënë informata lidhur me edukimin shëndetësor”, ka thënë tutje kryeinfermierja e QKMF-së në Mitrovicë, Meleqe Morina. /Telegrafi/