Të mërkurën në qytetin e Mitrovicës është mbajtur eventi “Anibar On Tour”, i cili mbahet çdo vit para fillimit të edicionit të ri të festivalit të filmave të animuar “Anibar”.
Këtë vit ky festival mbahet më 15 – 21 korrik në Pejë dhe gjatë eventit “Anibar On Tour” transmetohen filma që do të shfaqen gjatë edicionit.
Koordinatorja e eventit “Anibar on Tour”, Alma Bashiq, në një prononcim për Telegrafin ka thënë se gjatë këtij viti do të mbahet edicioni i 15-të i këtij festivali, shkruan Telegrafi.
Bashiq ka thënë se çdo vit përzgjedhin një temë aktuale të shoqërisë dhe për këtë vit është përzgjedhur tema “Smash the patriarchy” që do të thotë “Thyejmë patriarkinë”.
“Është temë aktuale në Kosovë dhe pak e trishtë, por kemi dashur ta përçojmë mesazhin e barazisë gjinore dhe se si ‘traditat’ nuk ndikojnë vetëm tek gjinia femërore, por edhe ajo mashkullore sepse ka disa ide të fiksuara që nuk u përshtaten të dy gjinive”, ka thënë ajo.
Koordinatorja e këtij eventi ka thënë tutje se për këtë vit në “Anibar On Tour” janë përzgjedhur të shfaqen katër filma animues, me minutazh 10-12 minuta, e ku i tërë programi do të zgjasë 40 minuta.
Bashiq ka shtuar se “Anibar On Tour” do të jetë edhe në qytete tjera të Kosovës, por edhe në Shqipëri e vende tjera të rajonit.
Ndërsa, organizata joqeveritare kulturore “7 arte” në Mitrovicë ka zgjedhur ta ndihmojë eventin “Anibar On Tour” duke ofruar kështu hapësirën e saj gjatë mbajtjes së tij në këtë qytet.
Gjersa qytetari me iniciale A.M. për Telegrafin ka treguar se është ndarë i kënaqur me filmat animues që u shfaqën mbrëmë.
Ai ka thënë se organizime të tilla duhet të realizohen më shpesh në qytetin e Mitrovicës sepse sipas tij, të njëjtat janë pozitive.
Më tej, A.M. u ka bërë thirrje qytetarëve që të shprehin më shumë interesim kur ndërmerren këso iniciativash për shfaqjen e filmave animues. /Telegrafi/