Site icon Telegrafi

Mashtrimi më i madh i historisë së futbollit

Pak vetë e dinë historinë e pabesueshme që ndodhi dy dekada më parë kur Graeme Souness u “mashtrua”, duke e lejuar të aktivizohet në Premier League me Southamptonin, nga ky “i panjohur” që pretendonte të ishte kushëri me George Weah, futbollisti “legjendar” i AC Milan, fitues i “Topit të Artë” në vitin 1995. A ishte Dia thjesht një shakaxhi, apo dikush që dëshironte të realizonte një ëndërr? Në të gjithë botën e zhurmshme të medieve sociale ai është zhdukur pa lënë gjurmë. Pra, tani ai është gjallë ose ndoshta nuk jeton më. Askush nuk e di ku ndodhet. Duke qenë se sivjet ai do të mbushë 50 vjeç, “Telesport.al” kërkoi për legjendën Ali Dia, për të vërtetën…

Ali Dia. Ky emër është i shpërndarë kudo nëpër internet. Mënyra se si zbriti në fushë ai që mund të konsiderohet futbollisti më i dobët që ka luajtur në historinë e Premier League, duke mashtruar edhe një trajner si Souness është bërë legjendë. Historia e Dia është shkruar dhe rishkruar me qindra herë në botën on-line, por ky i mposhtmi është tregimi i vërtetë i Don Kishotit të futbollit botëror. Ai nuk ka luajtur kurrë për kombëtaren e Senegalit, ose për klubi si Bolonja apo Paris Saint-Germain, ashtu si pretendon menaxheri i tij, që deklaronte edhe se Ali ishte kushëriri i parë i George Weah…

Mbi të gjitha, e nisim me emrin e futbollistit. Ali Dia është emri i njohur në ditët tona, por në fillim të karrierës së tij, në bazë të asaj që shkruhej në gazetat e kohës në Francë dhe në bazë të deklaratave të bëra nga shokët e skuadrës, emri i tij ishte Aly Dia. Profili i tij në “Wikipedia” tregon se nga viti 1988 deri në vitin 1992 ai ka luajtur me disa ekipe si Beauvais, Dijon, La Rochelle dhe Saint Quentin, por Federata Franceze e Futbollit ka thënë se futbollist me të tillë emër nuk ka luajtur kurrë në Francë dhe nuk figuron në asnjë nga protokollet e ndeshjeve. Katër klubet e lartpërmendura nuk japin asnjë informacion zyrtar dhe e vetmja shkresë që fakton karrierën e tij ka qenë kontrata e firmosur në dhjetor 1993 me AL Chateaubriant në kategorinë e pestë të Francës.

Edhe ajo kontratë nuk kanë qenë si futbollist, por për 87 orë në muaj që ai duhet të kalonte me ekipet e moshave të kësaj skuadra, duke përfituar 3030 franka në muaj, me euro e ditëve tona janë 500 euro në muaj. Shumë pak, por Dia ishte gjysmë-profesionist. Ai jetonte në bulevardin Victor Hugo dhe presidenti i klubit AL Chateubriant, Michel Bonnier, thotë se Dia ka luajtur rregullisht për ekipet A dhe B. Më 1 gusht 1994 kontrata u prish pasi Dia dha dorëheqjen nga postet që mbante. “Futbollisti po kërkonte për një skuadër tjetër,” – tha Bonnier.

Sipas të dhënave e atyre viteve, Dia kaloi te skuadra e Arles Avignon dhe filloi të jetonte në këtë qytet. Ishin vitet kur Franca u mbulua nga eksodi i futbollistëve afrikanë, sidomos nga vendet që kanë qenë koloni e Francës. Ndoshta ky ka qenë momenti kur Dia mendoi se duhet të luante në një shtet që nuk fliste frëngjisht për të pasuruar korrikulumin e tij. Në këtë mënyrë protagonisti ynë shkoi në kategorinë elitare të Finlandës. Në vitin 1995, Dia shkoi te ekipi i Finnairin Palloilijat, një klub me seli në Helsinki, i themeluar tre dekada më parë kur kompania ajrore e shtetit finlandez, Aero. Në vitin 1993, skuadra e njohur si FinnPa fitoi për herë të parë të drejtën për të luajtur në kategorinë kryesore. Në atë kohë kampionati “Veikkausliiga” kishte futbollistë që më pas u bënë të njohur edhe në Premier League si Sami Hyypia, Shefki Kuqi, Jussi Jaaskelainen, Antti Niemi dhe Teuvo Moilanen.

Lëvizja ishte një hap para në karrierën e Dia, që fliste shpesh edhe për familjen e tij. “Po, ai na tregonte shumë histori për George Weah, kur ishte në skuadrën tonë,” – thotë ish-shoku i ekipit Kalle Lehtinen. Weah ishte njeriu i duhur për të pasur lidhje. Në vitin 1995 ai u zgjodh futbollisti më i mirë i planetit nga FIFA dhe “France Football”. Në të gjithë Europën ishte dalë moda e blerjes së futbollistëve nga Afrika, por informacioni për ta ishte me pikatore, sepse edhe interneti nuk kishte shumëllojshmërinë dhe informacionin e ditëve tona. Në pjesën më të madhe informacionet jepeshin nga një palë e tretë. Por a mund të konfirmonte një ekip gjysmë-profesionist në Finlandë se Dia ishte kushëri me Weah? Jo. Dia në fillim e bëri këtë shpikje për t’u dukur interesant para të tjerëve, por më pas kuptoi se ishte mënyra më e mirë për të çarë. 70 euro në javë ishte paga mesatare e futbollistëve të FinnPa, por Dia, duke qenë se vinte nga Franca dhe konsiderohej si një futbollist i afirmuar merrte 300 euro në javë.

Dia debutoi me FinnPa në ndeshjen e javës së parë të kampionatit finlandez ndaj Haka, më 30 prill 1995. Ai u aktivizua në tetë minutat e fundit të ndeshjes së mbyllur 0-0. Pasi qëndrojë pesë javë pushim, Dia u aktivizua në minutën e 74-t të ndeshjes së javës së gjashtë ku Finn Pa fitoi 3-1 ndaj VPS. Në javën e tetë, në ndeshjen e tretë për të në kampionatin finlandez, Dia e nisi takimin si titullar. Sipas gazetës finlandez “Helsingin Sanomat”, në atë ndeshje Dia u ndal 10 herë në pozicion jashtë loje. Në minutën e fundit të pjesës së parë, Dia pati edhe rastin për të shënuar, por goditja e tij me kokë u prit nga portieri kundërshtar, teksa Finn Pa u mposht 3-1. Pavarësisht se nuk mund të shënonte, ose të paktën ta merrte topin në pozicion të rregullt, Ali Dia luajti për 90 minuta në atë ndeshje. Kjo ishte diçka e rrallë në karrierën e tij. “I padukshëm,” – ishte vlerësimi i bërë nga shtypi i kohës.

Më 21 qershor, ai luajti në ndeshjen e pestë dhe të fundit për të në Finlandë, në ndeshjen e javës së dhjetë ndaj Jaro, ku afrikani u aktivizua për nëntë minuta. Pas pesë ndeshjesh, një kartoni të verdhë dhe asnjë goli të shënuar Dia dorëzoi fanellën me numër 18 të FinnPa.

“Kur Ali erdhi kishte diçka. Me pjesën e jashtme të këmbës mund t’i jepte topit një fallco që ta kalonte rreth mbrojtësit, – tha ish-shoku i tij u skuadrës Simo Valakari. – Por vetëm kaq, ai nuk mund të bënte asgjë tjetër. Pas dy javëve të para, të gjithë e kuptuam se nuk mund të luante futboll. Ndoshta ishte klima apo mungesa e përshtatjes, por ngjasonte me dikë që nuk kishte luajtur kurrë futboll.”

Në fillim të korrikut, trajneri i FinnPa, Heikki Suhonen, kishte vetëm 13 futbollistë në dispozicion ëër një ndeshje shumë të rëndësishme ndaj Mikkelin Palloilijat. “Disa nga futbollistët nuk mund të luajnë si pasojë e dëmtimeve fizike dhe situata në skuadër është kaotike pasi mungojnë lojtarët, po ku është francezi Ali Dia,” – shkruhej në gazetën “Helsingin Sanomat”. As për herë të parë dhe as për herë të fundit, ai ishte zhdukur.

“Ali shkoi në varrimin e të ëmës, nuk e di nëse shkoi në Francë apo në Senegal por nuk u rikthye më kurrë,” – tha trajneri Suhonen. Në vitin 1998, Aero hoqi dorë nga financimi i klubit FinnPa dhe kjo skuadër falimentoi duke rënë në kategorinë e katërt.

Dia merrte rreth 300 euro në javë dhe kur mbërriti në Helsinki u prit nga Valakari, i cili punonte me kohë të pjesshme si drejtues te klubi FinnPa. Ai qëndroi për disa ditë në hotel, më pas shkoi të banonte në një apartament të marrë me qira nga klubi. Kur Dia u zhduk pas ndeshjes ndaj Jaro, Valakari shkoi t’i merrte çelësat e shtëpisë. “Kur hapa derën nuk mund t’i besoja syve, – thonë Valakari. – Ishte sikur kishte kaluar një uragan. Kishte kocka në dysheme, sikur dikur të kishte bërë magji!” Nëse kockat ishin si pjesë e një rituali magjik apo mbetje të ushqimeve, askush nuk e di, ajo që dihet është se aventura e Ali Dai në vendin skandinav nuk ishte mbyllur ende.

Ai firmosi për ekipin PK-35, klubi i qytetit verior Kakkonen, që atëherë luante në kategorinë e dytë finlandeze. “Ai erdhi duke na treguar një mal me histori,” – thotë ish-shoku i ekipit Toni Korkeakunnas. Dia shënoi një gol në tre ndeshje për këtë ekip, pastaj u largua. Askush nuk është takuar ndonjëherë me shokët e Dia ose familjen e tij. “Ai ishte njeri i mirë. Gjithmonë i dashur dhe i qeshor, pavarësisht se nuk fliste shumë. Na tha se kishte një bashkëshorte në Francë. Kaq dimë,” – thotë Valakari.

Në vjeshtën e vitit 1995, Dia shkoi në Gjermani te VfB Lubeck. Ashtu si FinnPa, edhe Lubeck kishte hipur në kategorinë e dytë gjermane, rezultati më i mirë në historinë e klubit. Lubeck atëherë drejtohej nga Michael Lorkowski, i cili më parë kishte fituar Kupën e Gjermanisë me Hanoverin. Aktualisht një punonjës social në Hamburg, Lorokowsi tregon se si menaxheri i përgjithshëm i klubit Helmut Schulte mori Dia te VfB Lubeck në fillimin e sezonit 1995/96, pas një bisede që pati me Weah (më vonë u zbulua se nga krahu tjetër i telefonit nuk ishte Weah). Dia shënoi plot pesë gola në një ndeshje kontrolli dhe krahasimi me “kushëririn imagjinar” te Milan ishte shumë i pranueshëm. “Ndoshta pati ditën më me fat të jetës. Menjëherë, të nesërmen deklaroi se ishte i sëmurë,” – tha Lorokowski, i cili vendosi ta aktivizojë për herë të parë sulmuesin në javën e pestë.

Dia u aktivizua në minutën e 73-të të ndeshjes së luajtur në Hanover, por thuajse nuk e preku asnjëherë topin në barazimin 0-0. Dia mungoi në ndeshjen e javës së gjashtë, por pati sërish një mundësi në javën e shtatë, teksa u aktivizua në ndeshjen e luajtur në shtëpi ndaj VfB Leipzig. Ai zbriti në fushë në minutën e 62-të kur Lubeck po humbiste 1-0 dhe nuk bëri asgjë në fushën e lojës, teksa miqtë fituan 2-0. Pas dy ndeshjes të luajtura në Bundesliga 2, karriera e Dia në Gjermani u mbyll, por ambicia e tij nuk u ndal me kaq. Ai i çoi një korrikolum imagjinar klubeve në Britaninë e Madhe.

Pasi mbërriti në Angli, Dia u provua në disa klube përfshi Gillingham. Ata nuk kanë asnjë provë të ekzistencës së tij, por sipas shtypit anglez ai ka luajtur një ndeshje për rezervat e Rotherham kundër Millmoor. Dia i tha Rotherham se ishte një futbollist i kombëtares së Senegalit që ishte aktivizuar me Lubeck në 10 muajt e fundit të karrierës, të paktën këtë herë kishte një pjesë të vërtetë. Ai nuk luajti mirë në ndeshjen ndaj Stockport County, më 8 tetor 1996, ku u zëvendësua. Klubi i Rotherham e largoi dhe Dia përfundoi te Blyth Spartans, skuadër amatore në Angli, ku u takua me Peter Harrison, aktualisht një menaxher i njohur, por që atëherë punonte si trajner.

Më 9 nëntor 1996, Dia e nisi ndeshjen nga stoli, teksa Spartans u mposhtën 2-1 në shtëpi nga Boston United. Më pas, Dia u zhduk sërish. “Ai shkoi te Southampton pa na thënë asgjë,” – tregon drejtuesi i klubit Phil Castiaux. Më 22 nëntor, Southampton mori të drejtën nga Federata Angleze e Futbollit, për të aktivizuar Dia si shtetas europian. Kjo u bë e mundur sepse bashkëshortja e Ali Dai ishte franceze. Një ditë më vonë, ai luajti ndeshjen e parë dhe të vetme në Premier League duke u aktivizuar në vend të Matt Le Tissier në ndeshjen e luajtur ndaj Leeds United.

Ky aktivizim është përfolur që atëherë, por mbërritja e Dia në ekipin e parë të Southampton nuk tërhoqi vëmendje shumë të madhe. Graham Hiley, një gazetar i kohësh, kujton: “E pashë në stërvitje dhe mendova se nuk do të firmoste një kontratë si profesionist sepse ishte shumë i dobët. Nuk e ndoqa më derisa e pashë duke luajtur në Premier League. Faktikisht nuk e besova as që ishte në stol. Eshtë habia më e madhe e karrierës sime se si një futbollit me nivel kaq të ulët mund të luante në Premier League.” Aventura e tij te Southampton, ku firmosi një kontratë një mujore, zgjati vetëm 14 ditë. Dia u largua duke lënë pa paguar edhe faturën e hotelit dhe u shfaq me Port Vale, duke shënuar të dy golat për këtë ekip në humbjen 3-2 ndaj Sunderland në “Roker Park”.

Në këtë moment, Ali Dai kontaktoi me menaxherin Harrison, i cili drejtonte kompaninë “Activity Sportswear”. Në momentin që trajneri i Gateshead, Colin Richardson, i kërkoi Harrison një futbollist për ta provuar ai i çoi Dai, te skuadra që sapo kishte fituar të drejtën për të luajtur në kategorinë e katër angleze dhe ku luante Justin Robson, vëllai i legjendës së Anglisë, Boby Robson. Gateshead e prezantoi Dai si blerjen më të madhe duke tërhequr shumë tifozë. Presidenti i klubit, John Gibson, tregon: “Unë gola me trajnerin dhe me disa drejtues. Vendosëm ta largonim sepse nuk ka kishte pëlqyer. Por kur shkuam për t’i komunikuar largimin, ai kishte ikur duke e lënë faturën e hotelit të pa paguar. Megjithatë, ai u kthye në klub dhe luajti një ndeshje të parë fantastike.”

Më 13 dhjetor 1996, Dia firmosi deri në fund të sezonit për Gateshead, sepse ashtu si kishte ndodhur për pak ditë edhe në Finlandë apo Gjermani, në ndeshjen e tij të parë Dia kishte shfaqur talent. “Shënoi që në ndeshjen e parë dhe më pas dha një asist për Thompson. Ai ishte një nga futbollistët më të mirë në fushë dhe meriton notën shtatë,” – lexohej në gazetën e kohës “Gateshead Post”, pas ndeshjes së fituar ndaj Bath City. Një ditë më pas, “Sunday Mirror” nxori në pah mashtrimin e Dias në klubet Bournemouth, Gillingham dhe Port Vale. Por ashtu si pretendimet e tij që kishte luajtur me Bolonjën, Parisin dhe kombëtaren e Senegalit, e gjitha ishte një fantazi.

Nga ana e tij, Dia foli për gazetën “The Mirror” duke i akuzuar gazetarët britanikë për shpifje. Ai tha se kishte luajtur me Senegalin dhe kishte shënuar në fitoren 3-1 ndaj Guineas për eliminatoret e kampionatit botëror, por Senegali nuk ka luajtur kurrë me Guinena dhe në ndeshjen e parë eliminatore për Kupën e Botës 1998, ata u mundën nga Togo. Dia mashtroi sërish: “Eshtë thënë për mua se jam mashtrues dhe nuk di të luajë futboll, por njerëzit e kanë gabim. Unë jam i mërzitur që nuk munda ta vazhdojë karrierën në Premier League, por kam një kontratë deri në fund të sezonit me Gateshead dhe do të tregojë të gjithë vlerat e mia.”

Pavarësisht se ju hoq “maska”, Ali Dai u aktivizua sërish nga Gateshead, që nuk donte t’i besonte të vërtetës por zhgënjeu keqazi në dy ndeshjet që nisi titullar ndaj Hednesford dhe Stalybridge. Pika më e ulët erdhi në ndeshjen e luajtur në shtëpi ndaj Halifax ku humbi dy raste me portën bosh. Skuadra e tij u mposht 3-2 dhe trajneri Richardson u shkarkua. Në ndeshjen tjetër, për Kupën e Anglisë ndaj Runcon, kur drejtimin e ekipit e mori Dave Clarke, Dia nuk ishte as në stol. Ky i fundit shpresoi te një mrekulli, kur emri i menaxherit të tij Harrison u përmend si trajneri i ardhshëm i Gateshead, por “plani” i senegalezit me pasaportë gjermane dështoi pasi drejtimin e klubit e mori Jim Platt.

Ndeshja e parë e Platt në stolin e Gateshead ishte ndaj Slough. Dia ishte në stol dhe në minutën e 66-të, Platt vendosi ta aktivizojë, por e zëvendësoi pas vetëm 15 minutash lojë. “Kur e aktivizova ishte jashtëzakonisht i dobët, – tha Platt, disa vite më vonë. – Ai ishte lojtari më i dobët që kam pasur ndonjëherë në dispozicion, aq sa u habita si kishta luajtur me Southampton. Duhet të ishte ylli i ekipit tonë sepse vite nga Premier League por që në stërvitjen e dytë dola në përfundimin se ai njeri nuk mund të luante futboll dhe presidenti Gibson, shumë i zhgënjyer ishte dakord me mua.” Dia nuk luajti asnjë ndeshje në fazën e dytë me Gateshead.

Në vitin 1998, trajneri i skuadrës së dytë të Gateshead, Alan Shoulder, deklaroi se një futbollist e kishte takuar në parking dhe i kishte kërkuar të provohej. Ai ishte Dia, që nuk kishte ndërmend të dorëzohej, por pronari Gibson nuk ia dha më këtë mundësi dhe Dia “u zhduk”. Deri në ditët tona nuk ka më asnjë informacion për të. Në “Facebook” dhe “Twitter” ka disa vetë me emrin e tij, por asnjë nuk është origjinal. Në vitin 2008, një gazetë britanike i gjeti numrin e telefonit dhe bëri një bisedë me të. Kur e ftuan për një intervistë zyrtare, Dia u zhduk dhe numri dilte i padisponueshëm. “Ndoshta ka ndryshuar emrin dhe ndoshta Ali Dai nuk ka qenë kurrë emri i tij i vërtetë. Ishte një mashtrues i lindur,” – thotë menaxheri i tij Harrison.

Kurioz është fakti se as në Senegal nuk e dinë që ka ekzistuar dikush i quajtur Ali Dai dhe emri i tij nuk figuron as në gjendjen civile të shtetit afrikan. Mund të jetë edhe nga Liberia, si George Weah, që në vitin 2007 dha një intervistë ku pohoi se nuk njihte askënd me këtë emër edhe jo më ta kishte kushëri. Njeriu që mashtroi Souness, duke e bindur t’i jepte mundësinë e aktivizimit Dia në Premier League quhej Sidiba Alsassana, një tjetër emër i panjohur në çdo sistem të FIFA-s. Ndoshta ka qenë vetë Dia që ka folur në telefon. Legjenda e Southampon Le Tissier, që i la vendin në momentin e zëvendësit e përshkroi si “një drerë në akull” por edhe si “një person shumë i sjellshëm që qeshte gjithmonë.”

Me mashtrimin e tij Dia fitoi parà me bollëk. Në momentin e transferimit nga Southampton te Gateshead ai përfitoi 5 mijë euro. Te Southampton ai mori 3 mijë euro për 14 ditët që luajti, ndërsa gjatë sezonit te Gateshead mori 20 mijë euro. Ai ishte futbollisti më i paguar në kategorinë e pestë. Korkeakunnas, ish-shok skuadre me Dia, aktualisht trajner i FC Lahiti, ka frikë sot e kësaj dite nga mashtrimet e menaxherëve dhe pseudo futbollistëve: “FIFA duhet të gjej një sistem tjetër që klubet të kenë më shumë kontroll.” Akush nuk e di ku është Dia tani, ndoshta është pa punë, ndoshta ka nisur karrierën e menaxherit duke i thënë futbollistëve të rinj: “Një ditë mund të luani edhe në Premier League, ashtu siç kam bërë unë.”
 

Exit mobile version