Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka prezantuar të enjten masat për subvencionim të pajisjeve efiçente të energjisë për qytetarët, të cilat pritet të buxhetit të shtetit të ia kursejnë 12 milionë euro vetëm gjatë këtij dimri.
Në një konferencë për media, ajo ka bërë të ditur se kaldajat me djegie me biomasë, drutë, peleti dhe briketi do të përkrahet në masë prej 70 për qind.
Po ashtu, Rizvanolli ka thënë se pompat termike, kondicionerët dhe stufat janë disa nga pajisjet që do të përkrahen.
“Secili veprim për kursim të energjisë është jo vetëm kursim për konsumatorin dhe buxhetin e shtetit, por edhe i rritë xgjasat për furnizim të rregullt me energji, andaj i ftoj qytetarët që të aplikojnë për këtë skemë dhe të shfrytëzojnë të gjitha mënyrat e mundshme për të kursyer energji elektrike gjatë këtij dimri”, është shprehur ajo.
Rizvanolli ditë më parë ka bërë thirrje te qytetarët që t’i izolojnë shtëpitë në mënyrë që të kursejnë energji elektrike. Ndërsa, e pyetur se pse nuk kanë vendosur që t’i subvencionojnë edhe izolimet e shtëpive, ajo të enjten ka thënë se për skema të tilla ka më shumë hapësirë për keqpërdorime.
“Izolimi i shtëpive është konsideruar. Por, kemi filluar me skemën e subvencionimit të pajisjeve efiçiente për ngrohje për shkak se kjo është skemë relativisht më lehtë e realizueshme dhe kërkon më pak kohë e planifikim paraprak. Po ashtu, ka më pak hapësirë për keqpërdorime”.
“Duke pasur parasysh kompleksitetin e subvencionimit të izolimit të shtëpive, nuk kemi dashur të dizajnojmë masa në një formë të shpejtë pa i planifikuar të gjitha fazat në mënyrë që të mos lejojmë keqpërdorimin e parasë së konsumatorit”, ka theksuar ajo.
Duke folur për importin e energjisë elektrike gjatë dimrit, Rizvanolli ka thënë se kjo do të varet në masë të madhe nga ajo se sa kapacitetet e KEK-ut do të jenë në gjendje të gjenerojnë.
Sipas një skenari, ajo ka theksuar se pritet të ketë një konsum prej 4.12 milionë megavat/orë, ndërsa gjenerimi nga ana e KEK-ut pritet të jetë 3.2 milionë megavat/orë.
“Kosova do të ketë nevojë për të importuar 722.8 mijë megavat/orë energji elektrike që pritet të kushtojnë rreth 316 milionë euro. Po flasim për shifra marramendëse e po ashtu të paparashikueshme”, ka përfunduar ajo. /Telegrafi/