Prej më shumë se një muaj prej kur është mbyllur thirrja publike “Zbatimi i masave të efiçiencës së energjisë për shtëpitë individuale të banimit”, numri i para-aprovimeve të lëshuara nga Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë ka kaluar mbi një mijë.
Ndërkaq, Komisioni është duke punuar vazhdimisht që të përmbush fluksin e aplikantëve.
Kështu deklaron për KosovaPress, Fillojetë Konjuhi nga Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (FKEE).
Qytetarët, do t’i kenë paratë e tyre brenda 30 ditësh pas verifikimit të punimeve.
Nga ky projekt, i cili do të përfitojnë rreth 2 mijë familje për subvencionim të termoizolimit të mureve të jashtme, të kulmeve, si dhe ndërrimit të dritareve dhe dyerve të jashtme të shtëpive për 45 për qind të vlerës së investimit, deri në 5 mijë e 500 euro, të njëjtit kanë kohë t’i kryejnë punimet brenda gjashtë muajve.
Në një intervistë për KosovaPress, Konjuhi tha se çdo aplikant që fiton të drejtën për subvencionim do të verifikohet nëse çdo gjë rreth procesit ka shkuar me rregull.
“Deri më tani veçse ka kaluar numri i 1 mijë para aprovimeve të lëshuara për aplikantët që kanë aplikuar për subvencionim të masave të efiçences së energjisë. Komisioni është duke punuar vazhdimisht që të përmbush fluksin i cili ka qenë i aplikantëve, të verifikojë të gjitha këto aplikime, dhe të kthejë përgjigjet tek adresat e tyre”, thekson Konjuhi.
Konjuhi tregon hapat që duhet të ndjekin aplikantët që kanë pranuar këto letra dhe kohën që duhet të kryejnë punimet ata që pranojnë letrat e para-aprovimit.
“Në momentin që qytetarët pranojnë e-mailin me letrën e para-aprovimit, ata duhet brenda shtatë ditëve ta nënshkruajnë dhe të skanuar të kthejnë në të njëjtën adresë. Me e-mailin të cilin e dërgojnë letrën e para-aprovimit, ne dërgojmë edhe dokumente të tjera për nevoja të qytetarëve për hapat e mëtutjeshme.
Është letra që shërben si dëshmi që qytetaret janë të liruar nga TVSh-ja dhe mund të përdorin për blerjen e materialeve apo kontraktimin e punëve, është edhe udhëzimi me kriteret teknike minimale të përcaktuara nga Fondi, bashkë me deklaratën e cila duhet të nënshkruhet nga pune kryerësi ose furnitori, varësisht se si i kryen qytetari punimet.
Ky deklarim pastaj kthehet në fazat e mëtutjeshme kur kemi të bëjmë me disbursimin nga qytetari tek Fondi… Prej momentit kur qytetarët marrin dritën jeshile nga Fondi se munden të fillojnë punimet, atëherë kanë gjashtë muaj kohë që të realizojnë punimet e tyre për të cilat kanë aplikuar”, thotë Konjuhi.
Sipas saj, pyetjet më të shpeshta që po merr Fondi në këtë faze para se të fillojnë punimet është për mënyrën e faturimit, derisa shpjegon si duhet të rregullohet.
“Kryesisht pyetjet më të shpeshta që Fondi po i merr në këtë fazë para se të fillojnë punimet janë mënyra e faturimit, sepse ato kërkohen si dëshmi e kryerjes së punimeve. Nëse qytetari e blen materialin vet dhe jo përmes kompanisë, atëherë ai duhet të kërkojë nga kompanitë kupon fiskal, për të cilat pagesën e bënë në mënyra të tjera përmes bankës, dhe nga pune kryerësi duhet të kërkojë faturë tatimore që ka përshkrim kryerjen e punimeve. Në rast se qytetari zgjedh që të bëjë furnizimin dhe gjitha punimet me një kompani, atëherë i lëshohet faturë tatimore e detajuar më të gjitha blerjet dhe kryerjen e punimeve”, vijon Konjuhi.
Mes tjerash, Konjuhi rëndit procedurat që duhet të ndjekin qytetarët pasi t’i kryen punimet.
“Pas kryerjes së punimeve qytetari duhet që të plotësojë formularin për disbursim e cila gjendet në ueb-faqen zyrtare të Fondit dhe bashkë me deklaratën e kritereve minimale teknike, ai duhet të bashkëngjisë edhe dokumentet e tjera dhe t’i drejtohet Fondit në adresë duke i dërguar të gjitha këto dëshmitë e punë për të lajmëruar Fondin se ka kryer punimet…
Përveç formularit të disbursimit dhe deklaratës të përmbushjes së kritereve minimale qytetari duhet t’i ketë edhe të gjitha faturat apo kuponët fiskalë. Të gjitha këto t’i bashkëngjis në email, t’i dërgojë në FKEE, përmes adresës disbursimi@fkee-rks.net. Në këtë formë pranojmë kërkesën e tij për disbursim që është faza ku ai dëshmon se ka kryer punimet…
Marrëveshja për disbursim nënshkruhet në mes Fondit dhe në këtë rast përmes përfituesit dhe bëhet në mënyrë fizike në zyrën e FKEE-së”, thotë mes tjerash Konjuhi.
Sa i përket disbursimit, Konjuhi thotë se nëse verifikimi tregon që janë kryer në formë korrekte, nënshkruhet marrëveshja e disbursimit dhe pas nënshkrimit të marrëveshjes së disbursimit, Fondi në afat prej 30 ditësh derdh paratë në xhirollogaritë e qytetarëve.
“Faza finale për marrjen e parave është akti nënshkrimit të marrëveshjes dhe pas kësaj Fondi i transferon paratë në xhirollogarinë e përfituesit… Qytetarët në momentin që konsiderojnë se kanë përmbushur punimet, lajmërojnë Fondin me të gjitha dokumentet, pastaj Fondi del në terren për të verifikuar punimet se a janë kryer ashtu siç është nënshkruar para-aprovimit, i bazuar në aplikimin e qytetarit.
Pas kësaj nëse verifikimi tregon që janë kryer në formë korrekte, nënshkruhet marrëveshja e disbursimit dhe pas nënshkrimit të marrëveshjes së disbursimit, kjo faza prej marrëveshjes së nënshkrimit të disbursimit, Fondi ka 30 ditë për të vendosur paratë në xhirollogaritë e qytetarëve”, përfundon Konjuhi.
FKEE do të ofrojë një subvencion prej 45 për qind të kostos së investimit, e kufizuar në shumën prej 5 mijë e 500 euro, për zbatimin e masave të Efiçiencës së energjisë. Shuma e subvencionimit varet nga paramasa dhe para llogaria e aprovuar nga FKEE, për masat të cilat paraprakisht auditori i energjisë i ka konfirmuar në raportin e auditimit.
Kriteri bazë i këtij subvencioni ishte që shtëpia të jetë e banueshme, dhe në 21 nga 24 muajt e fundit, ka konsum të energjisë elektrike prej së paku 250 kilovat orë për muaj.
Ky projekt është mbështetur nga Bashkimi Evropian në kuadër të programit IPA – Pako për Mbështetjen e Energjisë, i aranzhuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës dhe i zbatuar nga Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë. /kp/