Telegrafi

Martinez: Belgjika nuk ka nevojë për Nainggolanin

Trajneri i kombëtares së Belgjikës, Roberto Martinez ka thënë se ylli i Romës, Radja Nainggolan është njëri nga 50 lojtarët që po monitorojnë, por se skuadra kombëtare është mirë pa të.

Nainggolan konsiderohet të jetë një nga mesfushorët më të mirë në Evropë, por në mënyrë të përsëritur është zhgënjyer nga vendi i tij.

Kjo pasi, edhe përkundër paraqitjeve brilante e të vazhdueshme me Romën, mesfushori është injoruar nga kombëtarja belge, duke mos u ftuar dhe sipas trajnerit të kombëtares, Belgjika nuk ka nevojë për të.

Lexo po ashtu Nuk ftohet nga Belgjika, Nainggolan mendon pensionimin nga Kombëtarja

“Vendimi im ishte bazuar thjesht në futboll”, ka thënë Martinez në konferencën e tij për shtyp, duke mohuar raportet për një përleshje me futbollistin.

“Ne zgjodhëm për qëndrueshmëri, pasi ne luajtëm dy ndeshje të mira dhe taktikisht gjetëm formën që duam”.

Martinez dhe Nainggolan duke biseduar

“Ne jemi tashmë të kualifikuar për Kupën e Botës, është e vërtetë, por për mua është e rëndësishme të vazhdojmë të punojmë me të njëjtën skuadër. Ne duam të fitojmë dy ndeshjet e ardhshme, kjo nuk është koha për eksperimente”.

“Unë duhet të bëj zgjedhjet më të mira për ekipin dhe mendoj se ka lojtarë të tjerë që po bëjnë mirë”.

Dyshja mendohet se kanë raporte të tensionuara

“Ne ishim skuadra e parë evropiane që siguron kualifikimin për Kupën e Botës dhe kjo tregon se vendimet e mia janë të qëlluara”.

“Radja është njëri nga 50 lojtarët që po monitorojmë, por ekipi po bën mirë pa atë tani. Nainggolan nuk na nevojitet njëherë”, përfundoi trajneri i Belgjikës. /Telegrafi/