Telegrafi

Marrëveshjet për ndërtimin e “Kosovës së Re”, në kundërshtim me ligjet e Kosovës dhe BE-së

Balkan Green Foundation (BGF), Instituti GAP, Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) dhe Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), në kuadër të kampanjës, #mosthujsekamdite, ngrehin shqetësime mbi faktin se TC Kosova e Re është në kundërshtim me ligjet e Kosovës dhe të BE-së mbi Konkurrencën dhe Ndihmën Shtetërore.

Marrëveshjet e nënshkruara nga Qeveria e Kosovës dhe ContourGlobal (GenCo) përmbajnë elemente të Ndihmës Shtetërore. Qeveria e Kosovës morri përsipër obligimin për të paguar ngarkesën për kapacitet dhe për të blerë energjinë elektrike të prodhuar për një periudhë 20-vjeçare.

“Marrëveshja thotë se çmimi i synuar prej €80/MWh do të garantohet për tërë këtë periudhë. Në bazë të marrëveshjes së nënshkruar, qeveria ka krijuar ndërmarrjen publike NKEC për të vepruar si ndërmjetës mes Kosovës, GenCo-s dhe kompanive të distribucionit në Kosovë. NKEC obligohet t’ia paguajë GenCos energjinë elektrike nën një çmim të garantuar, që përfshin një pagesë të lartë për kapacitet. Kjo marrëveshje parashihet të veprojë si destimulues për investitorë që duan të hyjnë në tregun e energjisë elektrike në Kosovë për një periudhë 20-vjeçare. Ajo nuk i lejon NKEC dhe kompanive të furnizimit të energjisë të blejnë energji elektrike me çmime potencialisht më të ulëta në tregje të hapura në Kosovë dhe në rajon”, theksohet në komunikatën e këtyre OJQ-ve.

Ndërtimi i Termocentralit “Kosova e Re” me termet e nënshkruara do ta bllokojë energjinë elektrike të Kosovës nga tregu evropian.

“Kosova do të jetë e obliguar me kontratë ta blejë energjinë elektrike nga termocentrali i ri me thëngjill edhe nëse çmimi i tregtimit të saj është më e ulët sesa ajo në tregun ndërkombëtar. Bazuar në projektimet e Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë, çmimi mestar i energjisë elektrike në rajon në vitin 2023 do të jetë rreth €50-60/MWh ose për €20-30/MWh më pak se sa çmimi i cili do t’i paguhet GenCos përgjatë periudhës 20-vjeçare. Termocentrali i ri në Kosovë do të bëjë që linjat e interkoneksionit të jenë joefektive, duke qenë se Kosova nuk do të hyjë në tregti me shtetet tjera evropiane”.

Të gjitha pagesat për shfrytëzim të sistemit do t’i ngarkohen NKEC dhe jo ContourGlobal.

Prodhuesit tjerë të energjisë elektrike janë përgjegjës për t’i mbuluar këto pagesa dhe i bën ata më pak konkurrues. Përjashtimi vetëm i ContourGlobal nga obligimi i kësaj pagese përbën diskriminim ndaj prodhuesve tjerë dhe është në kundërshtim me balancimin e bazuar në treg. Qeveria e Kosovës do të duhet ose të subvencionojë shfrytëzimin e rrjetit dhe transferimin e balancit, ose ta socializojë koston e shfrytëzimit të marrëveshjeve të njëpasnjëshme dhe më pas të njëjtat t’ia faturojë konsumatorëve fundorë (qytetarëve të Kosovës). /Telegrafi/