Në vlerë 25.5 milionë euro është nënshkruar marrëveshja e nën-huazimit mes KOSTT-it dhe Ministrisë së Financave për projektin “Zhvillimi i sektorit të energjisë VII – Përmirësimi i rrjetit të transmetimit”. Ky projekt parasheh investime në zëvendësimin e nënstacioneve të linjave kyçe të tensionit për operim të sigurt dhe të qëndrueshëm të sistemit të transmisionit.
Ministri i Financave, Hekuran Murati, derisa ka treguar qëllimin e projektit tha se e rëndësishmja e kësaj marrëveshje është se do të vazhdojë të ulet niveli i humbjeve, ani pse sipas tij humbjet janë të vogla.
“Për shkak të procedurave, por edhe për shkak disa vonesave në Kuvend deri me ratifikimin e asaj marrëveshje kishim të pamundur të vinim tek ky nënshkrim…Sot po e nënshkruajmë marrëveshjen e nën huazimit të KOSTT në vlerë prej 25.5 milion euro, pra janë mjete që do të investohen në rrjetin e transmisionit për përmirësimin e tij. Konkretisht me anë të këtij projekti do të bëhet rehabilitimi, zgjerimi dhe modernizimi i rrjetit të transmisionit si dhe do të investohet edhe në shërbimet e konsulences dhe inxhinierisë përkatëse.
Projekti parasheh investime në zëvendësimin e nënstacioneve të linjave kyçe të tensionit për operim të sigurt dhe të qëndrueshëm të sistemit të transmisionit dhe më e rëndësishme është që vazhdon të ulet edhe niveli i humbjeve, që megjithatë janë të vogla aktualisht, por rritet efiçienca e rrjetit të transmisionit dhe kësisoj përmirësohet edhe performanca e ndërmarrjes publike”, tha Murati.
Ai po ashtu tha se zhvillimi i sektorit të energjisë është prioritet kyç për qeverinë.
Ndërsa, Matthias Conrad zëvendës Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, është shprehur i kënaqur me arritjen e kësaj marrëveshje. Ai tha se përmirësimi i klimës në sektorin e energjisë është një fushë prioritare e bashkëpunimit të Gjermanisë me Kosovën.
“Përmirësimi i klimës është një fushë prioritare e bashkëpunimit të Gjermanisë me Kosovën. Qeveria Gjermane është e zotuar për këto ndryshime që kanë arritur vlerën 222 milionë euro… Ky projekt do të kontribuoj në rritjen e përqindjes së energjisë në Kosovë dhe investimet e tilla në rrjetin e transmisionit të Kosovës janë kruciale për integrimin e Kosovës në tregun e rrymës të rajonit evropian.
Me këtë marrëveshje përfshihen investime prioritare siç është përmirësimi i sistemit të telekomunikimit, ndërtimit në stacionet tjera në Dragash, dy në stacionin në Ferizaj, ndërtimi i 110 kË dhe linja me kufirin me Shqipëri si dhe instalimin e transformatorëve të energjisë në disa stacione në Kosovë. Ky projekt do të kontribuoj në uljen e nivelit të energjisë, efikasitetin dhe përmirësimin e furnizimit me rrymë dhe integrimin e tregut kosovarët e energjisë në tregun evropian të energjisë”, tha Conard.
Ndërkaq, Evetar Zeqiri, kyeshef ekzekutiv i KOSTT-it ka treguar se ku do të fokusohet ky projekt.
“Projekti fokusohet në katër komponentë kryesore pra ndërtimin e nënstacioneve të reja në zonën e Deçanit ku do të mundësoj integrimin e një kapaciteti të rëndësishme të burimeve të ripërtritshme të cilat kanë potencial në atë pjesë, zëvendësimin e transformatorëve ekzistues me transformator të ri që do të përmirësojnë ngarkesën, ndërrimi i linjave dhe më e rëndësishmja pakoja digjitale që ne i referohemi që ka kuptimin që do të bëjë zëvendësimin e aspektit digjital që do të mundësoj një fuqizim më të mirë të ndërmarrjes sa i përket sigurisë kibernetike e cila është bërë një temë tejet e rëndësishme”, tha ai. /kp/