Marrëveshjet komerciale për projektin “Kosova e Re” do të finalizohen brenda ditëve në vijim. Kështu kanë premtuar në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik.
“Përmbyllja e procesit të fazës së parë të projektit TC “Kosova e Re” pritet që të finalizohet brenda ditëve në vijim”, kanë thënë në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik.
Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blernad Stavileci kishte paralajmëruar nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje në gusht, duke thënë se marrëveshjet do t’i hapin rrugën fazës së ndërtimit për të cilën sipas tij janë të interesuara kompani me renome ndërkombëtare.
Kosova e Re është në secilin nga opsionet që ka vendosur qeveria në strategjinë e energjisë. Kështu edhe në Strategjinë e energjisë 2016-2025, janë të përcaktuara pesë objektivat strategjike për furnizim të qëndrueshme me energji elektrike.
Këto pesë objektiva janë: Sigurimi i furnizimit të qëndrueshëm dhe cilësore me energji elektrike dhe me kapacitete të nevojshme për një sistem stabil të energjisë elektrike, Integrimi në Tregun Rajonal të Energjisë, Rritja e kapaciteteve ekzistuese të sistemeve termike dhe ndërtimi i kapaciteteve të reja, Zhvillimi i infrastrukturës së gazit natyrorë, Përmirësimi i shfrytëzimit me eficiencë të energjisë, burimeve të ripërtëritshmë të energjisë dhe mjedisit sipas kërkesave të Traktatit për Themelimin e Komunitetit të Energjisë dhe MSA-së.
Ndërtimi i TC “Kosova e Re” llogaritet si projekti më i madh për Kosovën. Në këtë projekt pritet të punësohen 10 mijë persona vetëm gjatë fazës së ndërtimit.
Ky projekt deri me tani është përcjellë nga katër ministra.
Ndërtimi i termocentralit fillimisht ishte paraparë më kapacitetet të prodhimit prej 2100 megavatesh. Ndërkohë nuk shkoi shumë gjatë dhe kapacitetet prodhuese të termocentralit u ulën në 1,000 Mw. Ndërkaq më vonë pësoi edhe ndryshimi i tretë në kohën kur u shpall tenderi për ndërtimin e termocentralit me 600 megavat.
“Kosova e re” është përkrahur në vazhdimësi nga ekspertë të ekonomisë dhe të energjisë, ndërsa përkrahje ka marrë edhe nga Ministria e Ambientit dhe agjencitë e saj, sepse ndërtimi i këtij termocentrali do të sjellë mbylljen e TC “Kosova A”, që është ndotësi më i madh në vend.
Ky termocentral që është planifikuar të ndërtohet nga kompania amerikane “Contour Global” do të ketë kosto prej 1.5 miliard euro. /Telegrafi/