Telegrafi

Marrëveshja për qarkoren e re të qytetit, PDK në Gjilan: Deri më tash asnjë veprim, komuna po bëhet horë para qytetarëve

Më 16 janar 2024, Komuna e Gjilanit pati nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me Ministrinë e Infrastrukturës për projektin e qarkores së re të qytetit.

Ndaj kësaj, ka reaguar shefi i grupit të këshilltarëve nga PDK në Gjilan, Riad Rashiti, i cili ka thënë se Gjilani po i humb edhe 9 milionë euro të tjera buxhet për këtë projekt, derisa projekti në fjalë kap vlerën prej 27 milionë eurove.

Sipas Rashitit, deri më sot nuk është ndërmarrë asnjë veprim dhe se as procedurat e tenderimit nuk janë zhvilluar.

“Zotimi publik i kësaj qeverisje të dështuar ka qenë se dy pjesët e kësaj qarkore do të ndërtohen në këtë vit. Komuna e Gjilanit po bohet horë para qytetarëve të Republikës së Kosovës, po tregon paaftësi totale me qeverisjen e saj komunale të udhëhequr nga dështakët e organizatës së VV-së”, ka shkruar Rashiti.

Ndryshe, më 16 janar, kryetari Hyseni pati njoftuar se qarkorja e re e qytetit ka gjatësi rreth 20 km, 4 korsi që do të lidhin të gjitha rrugët magjistrale./Telegrafi/