Site icon Telegrafi

Marrëveshja për Kosovën e Re përmbyllet brenda muajit

Ka mbetur më pak se një muaj në përmbylljen e marrëveshjes për termocentralin Kosova e Re me investitorin amerikan, Counture Global.

Kështu tha ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci gjatë një diskutimi me temë “Një Don Kishotizëm” të organizuar nga KFOS dhe instituti Riinvest.

Ai tha se kjo marrëveshje do të ia hapë rrugën fazës së ndërtimit për të cilën sipas tij janë të interesuara kompani me renome ndërkombëtare.

“Kompanitë më të mëdha botërore janë të interesuara për të ndërtuar termocentralin Kosova e Re dhe ato tanimë janë duke vizituar vendin tonë. Mitsubishi ka qenë, GeneralElectric dhe Siemens pritet të vizitojnë gjate javëve të ardhshme. Kjo tregon edhe për seriozitetin e këtij projekti”, tha Stavileci.

Stavileci tha se në strategjinë dhjetëvjeçare energjetike do të përfshihen 7 alternativa për furnizim me energji elektrike.

“Me këto alternative besoj se do të sigurojmë një të ardhme energjetike më të largët se në vitin 2040, do të krijohen vende punë , do të kemi rritje ekonomike”, tha ai.

Në anën tjetër Luan Shllaku nga KFOS, gjatë prezantimit të analizës “Një DonKishotizëm Modern” tha se ka më shumë se një dekadë që politikanët bëjnë gara për zgjidhjen e këtij problem.

Mirëpo, sipas tij sektori i energjisë ende vazhdon të jetë sfidë për Kosovën.

“Ka pasur ndryshime të shumë ministrave, shumë qasje dhe shumë qëndrime e por ende nuk kemi një strategji afatgjate për energjinë. Vendimmarrësit kosovarë në asnjë moment nuk e kanë pasur një vizion afatgjatë dhe të qartë të zhvillimit të këtij sektori”, tha Shllaku.

Ai tha se institucionet përkatëse nuk duhet të fokusohen vetëm në thëngjillin dhe linjitin e Obiliqit, por duhet të shtrihen edhe rajonin e Dukagjinit, ngase ka më shumë se 2 miliardë tonelata linjit në atë rajon.

E drejtori i hulumtimeve në institutin Riinvest, Alban Hashani tha se sektori energjik duhet të përmirësohet si dhe duhet të ofrohen çmime të favorshme për konsumatorët.

“Çështja rreth energjisë, potencialeve janë të kufizuara. Kosova nuk ka burime të qëndrueshme për energji alternative”, tha Hashani.

I pranishëm në këtë konferencë ishte edhe zëvendës Shefi i Sektorit për Bashkëpunime në Komisionin Evropian, Libor Chllad.

Ai tha se çdo vendim që vije për sektorin e energjisë elektrike duhet të jetë vendim nga brenda.

Konferenca e organizuar nga KFOS, për çështje të energjisë, ka ngritur shume kritika rreth mungesës se vizionit dhe strategjive afatgjata për sektorin e energjisë në vend. /Telegrafi/

Exit mobile version