Telegrafi

Marquez kampion bote, Honda fiton titullin për konstruktorë (Foto/Video)

Ka zgjatur vetëm 24 xhiro tentativa e Andrea Doviziosos për t’i rrëmbyer titullin pilotit spanjoll Marc Marquezit.

Piloti italian i Ducatit ka rrëshqitur dhe është detyruar të tërhiqet, duke i dhënë mundësi Marquezit, që të vijojë i qetë garën, me titullin kampion tashmë të hipotekuar.

Marc Marquez, me Hondën e tij, vinte në këtë garë të fundit, në kuotën e 282 pikëve dhe ndiqej pikërisht nga Dovizioso me 261, por me daljen e këtij të fundit nga pista gjithçka ka marrë fund pa përfunduar ende gara.

Gara e Valencias u fitua nga spanjolli tjetër i Hondës, Dani Pedrosa, i cili la pas Johann Zarcon me Yamahan, ndërsa kampioni i sapo-shpallur, e mbylli garën i treti, përcjell SS.

Kështu, Marquez shpallet kampion në Moto GP 2017, me 298 pikë, ose 37 më tepër se ndjekësi më i afërt, italiani Andrea Dovizioso.

Ky është titulli i katërt për pilotin spanjoll, që ndjek Valentino Rossin me shtatë të tillë dhe Giacomo Agostinin me tetë.

Edhe Honda arrin të fitojë titullin për konstruktorë, duke grumbulluar 356 pikë, kundrejt 321 që mori Yamaha e vendit të dytë.