Telegrafi

Marcus Rashford thyen heshtjen rreth formës së dobët të Manchester United

Marcus Rashford ka folur rreth rezultateve të dobëta së fundmi nga Manchester United duke përmendur faktorët që sipas tij kanë ndikuar në këto performanca.

Në një prononcim për uebsajtin zyrtar të klubit, Rashford tha se jeta është e vështirë kur Manchester United humbet një ndeshje.

“Gjëja e parë është, mua nuk më intereson çfarë roli ke në skuadër apo në stafin teknik, kur Manchester United humbet ndeshje, jeta bëhet më e vështirë”, është shprehur fillimisht Rashford.

Sipas anglezit, secili pjesëtar i ekipit duhet ta shoh veten në pasqyrë dhe të japin gjithçka për fanellën.

“Secili pjesëtar i ekipit duhet ta shikoj veten në pasqyrë dhe të japin gjithçka për këtë stemë. Ju e dini se e keni këtë aftësi, përndryshe nuk do të ishit këtu”.

Në vazhdim, reprezentuesi anglez u shpreh se ata duhet të punojnë fort në fazën e mbrojtjes , dhe theksoi se çdo ndeshje ka dallim njëra me tjetrën dhe kërkon diçka më shumë.

“Ne duhet të rregullojmë disa gjëra në fazën e mbrojtjes dhe të luajmë futboll. Çdo ndeshje kërkon gjëra të ndryshme, dhe në shumë raste kur një ndeshje nuk shkon siç e kemi planifikuar, ne e kemi problem që t’iu përshtatemi rrethanave”, përfundoi Rashford.

Marcus Rashford ka arritur ta gjejë rrugën e rrjetës në këtë fillim sezoni në vetëm një rast. Ai shënoi golin e vetëm të United në humbjen 3-1 ndaj Arsenalit në xhiron e katërt të Ligës Premier.

Ndërkohë, Manchester United është zhytur në një ‘mini-krizë’ të rezultateve, teksa “Djajtë e Kuq” e shohin veten pa fitore në tri ndeshjet e fundit në të gjitha garat.

Pas pesë xhirove të para të zhvilluara në Ligën Premier, ata renditen në pozitën e 13-të në tabelën e klasifikimit me gjashtë pikë të tubuara, ndërsa në sfidën hapëse të Ligës së Kampionëve ata pësuan me rezultat 4:3 ndaj Bayern Munich./Telegrafi/