Një Marc Marquez joperfekt u shpall për herë të katërtë kampion bote në Moto GP, edhe pse numri i garave të fituara në total nuk ishte më i lartë se çmimet e mëdha që shkuan për Andrea Dovizioson.
Edhe në garën e fundit gaboi, por për fatin e tij të mirë, rivali italian e kishte humbur mundësinë për të fituar titullin, pasi u tërhoq në xhiron e 9-të në Valencia. Tashmë, me një gjykim më të ftohtë, Marquez thekson se 2017-ën do ta kujtojë vetëm për gabimet e shumta të tij.
“Kur shpallesh kampion bote, ndihesh i pamposhtur, por nuk është kështu. Vitin e ardhshëm do të kujtoj vetëm gabimet që kam bërë gjatë 2017-ës. Gjatë dimrit do të përpiqem të kuptoj se ku kam gabuar, për të mos i përsëritur këto gabime gjatë botërorit të ardhshëm”.
Janë plot 27 rrëzime të talentit spanjoll të Moto GP, shumë prej tyre të lidhura me rivalët e drejtpërdrejtë.
“Gabimet sigurisht që e kanë një shkak. Ndoshta nga fakti që doja të tejkaloja limitet, por disa rrëzime më kanë ndihmuar që t’i mbyll mirë garat, sepse kam qenë më i kujdesshëm pas incidenteve në prova.”
Duke komentuar rivalitetin me Dovizioson, që luftoi dhe besoi deri në fund, kampioni aktual u përgjigj:
“Në fillim të sezonit mendoja se nuk mund të më mposhtte, por kur nisi të fitonte, e kuptova se duhej t’i kisha frikë të gjithë”. /SS/