Telegrafi

Maradona shënon përsëri me dorë, në ndeshje kundër Aimarit (Foto)

Diego Maradona rikrijoi edhe një herë golin “Dora e Zotit”, në të njëjtën mënyrë me të cilën shënoi ndaj Anglisë.

Legjenda argjentinase ishte në Korenë e Jugut për të drejtuar shortin e Botërorit U-20, i cili do të luhet në maj.

Gjatë promovimit të turneut, 56-vjeçari mori pjesë në një ndeshje minifutbolli 5 kundër 5.

Por gjatë lojës ai nuk i rezistoi dot tundimit për të shënuar me dorë, një moment si në kopje që u fiksua nga kamerat, duke u kujtuar anglezëve golin e famshëm që u theu zemrat në Botërorin e 1986-s.

Megjithatë, këtë herë topi nuk përfundoi në rrjetë dhe Maradona u ndëshkua me karton të verdhë.

“El Pibe De Oro”, i cili fitoi Botërorin e të rinjve në vitin 1979, ngriti edhe trofeun e kupës së vërtetë të botës në Meksikë 7 vite më vonë. Rruga e tyre drejt finales vazhdon të kujtohet edhe sot nga goli kontrovers me dorë i yllit të Argjentinës në portën e Piter Shiltonit, i cili eliminoi “Tre Luanët” në çerekfinale.

Maradona, të cilit iu bashkua edhe një tjetër ish-lojtar i kombëtares bardhekaltër, Pablo Aimar, gjatë shortit në Kore, zgjodhi goglat që përplasën pikërisht Anglinë dhe Argjentinën, së bashku me Guinenë dhe organizatorët e Koresë së Jugut në Grupin A.

Kombëtarja angleze U-20 e drejtuar nga Pol Simpsoni do ta nisë botërorin pikërisht kundër Argjentinës në stadiumin “Jeonju World Cup”, më 20 maj.

Grupet e tjera vijojnë si më poshtë: Grupi B: Venezuelë, Gjermani, Vanuatu, Meksikë. Grupi C: Zambia, Portugali, Iran, Kosta Rikë. Grupi D: Afrikë e Jugut, Japoni, Itali, Uruguai. Grupi E: Francë, Honduras, Vietnam, Zelandë e Re. Grupi F: Ekuador, SHBA, Arabi Saudite dhe Senegal.