Reprezentuesit e Maqedonisë së Veriut janë grumbulluar mesditën e kësaj të hëne në Shkup për dy ndeshjet e muajit tetor që do ti luajnë ndaj Ukrainës që është e vlefshme për eliminatoret e Evropianit 2024 dhe kontrolluesen me Armeninë.
Kapiteni Enis Bardhi thotë se takimi me Ukrainën është më i rëndësishëm i këtyre eliminatoreve dhe beson se do ta vazhdojnë serinë e mirë që kishin me Italinë dhe Maltën në muajin e kaluar.
“Do të shkojmë në Pragë për t’i treguar Ukrainës se ato gjysmë ore të këqija në Shkup nuk janë tregues real i formës tonë, përkundrazi, por do të tregojmë se ora e parë e asaj ndeshjeje është fytyra e vërtetë e Maqedonisë. Do të përcjellim atmosferën e ndeshjeve me Italinë dhe Maltën dhe të tregojmë se këto eliminatore jo vetëm që nuk kanë përfunduar për ne, përkundrazi kemi edhe ende shumë për të thënë” është shprehur Enis Bardhi.
Përfaqësuesja e Maqedonisë ndeshjen me Ukrainën do ta luajë në Prag me 14 tetor, përderisa tre ditë më vonë do të përballet me Armeninë në Strumicë. Kujtojmë se për këto dy ndeshje, seleksionuesi Bllagoja Milevski ka grumbulluar plot 8 futbollist shqiptar, ku i fundit që mori ftesë shtesë ishte sulmuesi, Erdon Daci. /Telegrafi/