Site icon Telegrafi

MAPL e shpall të jashtëligjshëm vendimin e Përparim Ramës për tregun veror në sheshin “Xhorxh Bush” (Dokument)

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) e ka shpallur të jashtëligjshëm vendimin e kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, për dhënien në shfrytëzim të shtëpizave për tregun veror në sheshin “Xhorxh Bush” në Prishtinë.

Në shkresën e MAPL dërguar kryetarit të Komunës së Prishtinës dhe Kryesuesit të Kuvendit thuhet se vendimi i Ramës për miratimin e kërkesës së ndërmarrjes publike lokale “Sport Marketing” për organizimin e tregut veror është në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.

“MAPL konstaton se vendimi Nr. 14.020/04.129312/24 nuk përmban në preambulë Rregulloren nr. 01-463/01-227577/23 për përcaktimin e procedurave dhe formave për dhënien në shfrytëzim të pronës së paluajtshme të komunës për më pak se një vit të datës 1.12.2023, akt me të cilin kryeqyteti i Republikës së Kosovës/Prishtinë ka përcaktuar ‘procedurë të brendshme për dhënien në shfrytëzim të pronës më pak se një vit’ si dhe neni 6 i vendimit që ka përcaktuar se ‘hyrja në fuqi realizohet në momentin e nënshkrimit të tij’ duke anashkaluar dërgimin e aktit të autoritetit mbikëqyrës për shqyrtimin e ligjshmërisë është në kundërshtim me Ligjin për Vetëqeverisje Lokale, nenin 80”, thuhet në arsyetim, transmeton Telegrafi.

Tutje thuhet se “Kryetari i Kryeqytetit të Prishtinës me datën 02.10.2024, ka nxjerr vendimin Nr. 14.020/04.129312/24 për miratimin e kërkesës së ndërmarrjes publike lokale “Sport Marketing SH.A” për organizimin e tregut veror. Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal është njoftuar përmes ankesës së pranuar me datën 10 tetor 2024 lidhur me nxjerrjen e aktit nga Kryetari I Kryeqytetit të Prishtinës”.

Në kërkesën për shqyrtimin e ligjshmërisë së aktit thuhet gjithashtu se “Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal bazuar në atë që është lartcekur kërkon nga kryetari Përparim Rama dhe Kuvendi i Komunës së Prishtinës që të ndërmarrin veprime dhe brenda afatit ligjor të rishqyrtojë aktin dhe të harmonizojë me legjislacionin në fuqi konform mandatit që kanë si organe lokale”.

Ndryshe, kërkesën në MAPL për shqyrtimin e ligjshmërisë së vendimit për dhënien në shfrytëzim të hapësirës ndërmarrjes publike lokale “Sport Marketing” për organizimin e tregut veror në sheshin “Xhorxh Bush” e kishte bërë Gëzim Sveçla kryetar i Grupit të Këshilltarëve Komunalë të Lëvizjes Vetëvendosje në Komunën e Prishtinës. /Telegrafi/

Exit mobile version