Telegrafi

Mantelzinjtë!

Qeveria aktuale do të përpiqej ta përqendronte vëmendjen drejt një sektori publik, që po shkon drejt humnerës, nuk do ta gjente një sektor më të përshtatshëm se ai shëndetësor. Realisht ka kohë që shëndetësia “garon” me ndërmarrjet publike dhe gjyqësorin se kush e mban vendin e parë për korrupsion.

Në një vizitë e shkurtër shtëpisë së shëndetit apo spitalit më të afërt, jo për qejf, por nga halli, dhe do vërehet qartë se korrupsioni në shëndetësi rezulton i përmasave alarmante. Përdoret si metaforë, por është një realitet se qendrat publike spitalore në Kosovë më tepër e luajnë rolin e një vendnjoftimi, ku mjeku ia jep kartëvizitën pacientit dhe i tregon gjerë e gjatë për shërbimet në ordinancën e tij private sesa një konsultë profesionale që përkon me vizitën shëndetësore.

Java që shkoi ishte një javë e mbushur me arrestime, të cilat nuk kanë kaluar pa bujë. Gati se çdo kryeartikull gazete a kryelajm radio-televizioni ka qenë pikërisht kushtuar arrestimit të dy urologëve dhe menaxherit të një klinike private në periferi të kryeqytetit. Kjo prangosje ka pasuar me një tjetër veprim që ka çuar në shkarkimin e sekretarit permanent të Ministrisë Shëndetësisë. Pas këtyre, si për ta kompletuar “javën e zezë të mantelbardhëve”, një storie televizive tregoi se si mjekët i hapin ordinancat private “karshi” atyre publike dhe bashkëpunëtorët e tyre me gjentilesë u rekomandojnë pacientëve që ia mësyjnë entit publik të dalin “matanë rruge”.

Por, problemi nuk ka filluar dhe nuk është vetëm tek akuza që rëndon mbi të “arrestuarit për transplantime ilegale”, as te malverzimet që shihen në storien televizive. Problemi është shumë më i thellë dhe i komplikuar. Shëndetësia në Kosovë është kthyer në një lëmsh të shthurur keq. Ky sistem vazhdon të administrohet nga persona që i ngrohin karriget dhe e trajtojnë këtë sektor jetik si pronë private, duke e dëmtuar rënd jo vetëm punën, por edhe imazhin e sektorit dhe shtetit. Edhe Hipokrati po të ishte gjallë do të turpërohej me veprimet e mjekëve shqiptarë…

Sigurisht se logjika e ekonomisë së tregut pranon forma të ndryshme, si blerje dhe subkontraktim të shërbimeve nga ofrues privatë ose autonomë. Por, kjo nuk do të thotë se ekonomia e tregut e lejon një treg shëndetësor të kriminalizuar. Mund të mos jetë më problematiku, por korrupsioni në shëndetësi është ndër më të ndjeshmit. Numri i personave që përplasen me mjekun e korruptuar është qindra herë më i madh se numri i atyre që përplasen me doganierin e korruptuar!

(Autori është redaktor i rubrikës “Ekopolitikë” në gazetën “Lajm”)