Site icon Telegrafi

Manjola Nallbani: “Nuk pretendoj të jem shija e gjithkujt, por shija e publikut që unë dua”

Kur dua të sjell në mendje gruan, atë qenie që mban veshur në gjithë ekzistencën e vet aureolën e më të bukurës së jetës, ndjesitë më çojnë drejt një emri. Dua të kujtoj se është një diva, status të cilin e mban me merita absolute në karrierën e saj, por nuk dua të ndalem vetëm në velin e saj si artiste

Nga: Elona Jaçellari
Living

E kam njohur si të tillë që kur isha fëmijë. Këngët dhe performancat e saj atëherë më frymëzonin për ëndrra të bukura, ndërsa sot kam fatin të zbuloj gruan e jashtëzakonshme brenda saj, që më frymëzon për një jetë me shumë ngjyra.

Artiste në shpirt, këngëtare me kontribut të madh në muzikën shqiptare, e dashur dhe e përulur si asnjë tjetër, mirënjohëse dhe vlerësuese për çdo bekim që gëzon në jetë, Manjola Nallbanin dua ta cilësoj si një grua unike, paqen dhe dashurinë e brendshme të së cilës e ndien vetëm kur je pranë saj. Ka aftësinë të rrezatojë, jo vetëm sepse si artiste di të përçojë emocione, por sepse shpirtin e ka ushqyer me elementet më të bukura të jetës.

Manjola Nallbani është mbretëresha që nuk zbret asnjëherë nga froni, sado rryma të reja të hyjnë në hapësirën e saj. Ka një dashuri të madhe për muzikën e vërtetë, për të cilën nuk ka bërë kurrë kompromise. Ka ndërtuar një karrierë si pedagoge në Universitetin e Arteve, por edhe si artiste, nuk resht së mëkuari publi kun e saj. Vetëm pak ditë më parë ka publikuar një këngë, e cila mori menjëherë pëlqimin e publikut.

“Gjuha e shpirtit” është një këngë kushtuar brezit të ri të lindur jashtë, i cili nuk e humbet lidhjen me tokën e prindërve. Tinguj pop dhe etno të ndërthurur bashkë kanë krijuar një vijë melodike që përkëdhel veshin që në dëgjimin e parë. Këtë krijim, Manjola e ka ndarë me Fortana Pacollin, një 10-vjeçare e cila premton shumë në muzikë. E ndërsa po shijojmë “Gjuha e shpirtit” të Manjola Nallbanit, artistja po bën gati një surprizë tjetër të madhe, që është pjesëmarrja e saj në festivalin e Radio Televizionit Shqiptar. Është institucioni më i rëndësishëm i muzikës shqiptare, prej të cilit, më shumë se dy dekada më parë, lindi Manjola. Është rritur e ka fituar çmimet më të rëndësishme të këtij kult-altari, të cilit vendos t’i ringjitet përsëri pas tre vitesh mungesë.

“Sapo dëgjova këngën, më pëlqeu shumë dhe e ndjeva që ishte për mua. Nga ana tjetër, autorja, Erjona Rushiti, kishte dëshirë ta dërgonte në festival, sepse është një këngë që sapo e dëgjon, të krijon menjëherë idenë e një kënge festivali. Unë si artiste, emocionet më të mëdha i kam marrë nga ajo skenë dhe, nuk e di pse, por kam akoma arsye për ta dashur atë, sidomos në një vit si ky që kaluam, ku morëm mësime të mëdha e kuptuam që ka shumë rëndë – si të krijosh sa më shumë gjëra që vlejnë. Dua që gjurmët e mia të jenë me vlerë, të tilla që të më personifikojnë si personalitet njerëzor dhe artistik. Edhe kënga flet për kohën që po jetojmë. Muzika dhe poezia janë nga Erjona Rushiti dhe ka një produksion muzikor shumë të mirë nga Inis Mullai. Pra, pjesëmarrja në këtë festival erdhi si një dëshirë për të bërë atë që dua dhe di të bëj më mirë, që është profesioni im, pasioni im.”

Për artistët e vërtetë si Manjola Nallbani, koha nuk skadon kurrë. Është nga ato potenciale që ka shumë për të dhënë dhe po kaq shumë mund të frymëzojë në çdo kohë. Edhe pse karriera e saj është shtrirë përgjatë tranzicionit të madh të vendit, ku ndryshimet kanë ndikuar edhe në muzikë, Manjola zgjodhi të mos bëjë kurrë kompromise.

“Nga 40 vjet ku ishim mësuar të dëgjonim muzikë të huaj fshehtas, u shndërruam në majmunët e gjithçkaje që kishte një emër të huaj. Dëgjoj këngë me tekste të tilla, që me parametrat e mia si artiste, nuk do të pranoja kurrë t’i këndoja, sepse brezat po edukohen keq. Nuk pretendoj të jem shija e gjithkujt, por shija e atij publiku që unë dua. Nuk më pëlqen të jem një kameleon e ta transformoj veten apo ta deformoj figurën time për të qenë e kudondodhur dhe e përshtatur me çdo rrymë, çdo moshë, çdo shije. Unë jam Manjola, me shpirtin, zërin dhe personalitetin tim, dhe kushdo që më do, më do për këtë që jam.”

Dëshira e çdo artisti është të jetë gjithmonë në vëmendjen e publikut. Sot, kur tregu muzikor është i tejmbushur me prurje e artistë të të gjitha llojeve, është e vështirë të mbijetosh, por artiste si Manjola kanë gjithmonë aftësinë për të lënë gjurmë me këngë, hite dhe ngjarje që mbeten gjatë në kujtesë, siç ishte koncerti recital i saj në maj të vitit që shkoi. Kur ke një dhunti, është mëkat të heqësh dorë për shkak të aktiviteteve e njerëzve që të kanë zhgënjyer. Ndodh që edhe ndonjë sharlatan të të fyejë deri në palcë në një aktivitet shumë të rëndësishëm, e mund të të bëjë të thuash ‘nuk do të futem më kurrë në këto rrjeta merimangash’ se, sa kohë që nuk i ndryshon, më mirë të heqësh dorë. Pastaj të vjen keq, sepse në fund të fundit është një dhunti dhe puna e një jete e nuk i bie dot kaq shkurt gjërave. Përsëri i kthehesh ndjesisë, nevojës për t’u lidhur drejtpërsëdrejti me publikun, sepse është mënyra më e mirë për të shprehur veten dhe qëndrimin tënd për një situatë të caktuar. Në të njëjtën kohë, thua që vitet kalojnë e pavarësisht nga gjithçka që mund të të lëndojë në çaste të caktuara, ka rëndësi që pas disa vitesh të thuash: ‘Këtë e kam bërë shumë mirë’. Nëse ndodh të tërhiqesh për arsye të rrethanave, ti lë një boshllëk për veten.”

Manjola Nallbani është nga ato artiste që qëndron gjithmonë me këmbë në tokë, ndoshta edhe prej faktit se ajo ka ngritur shtylla të forta në jetën e saj, ku përpara nevojës qëndron gjithmonë pasioni dhe dashuria për t’i bërë gjërat mirë. Kënga është ana që ia njohim të gjithë publikisht Manjolës, por brenda vetes ajo ka të qëndisura shumë aspekte të së bukurës, pa të cilat nuk do të ishte kurrë e plotë dhe e lumtur. Kush e njeh nga afër, siç pata fatin ta njoh unë, brenda artistes zbulon një personazh shumë të dashur dhe të dhënë pas jetës dhe së bukurës. Nëse nuk e gjen duke kënduar, e gjen patjetër në një tryezë të shtruar bukur, me servise që ajo i mbledh nga çdo cep i botës, e gjen mes luleve apo me një libër që nuk e ndan kurrë nga dora.

“E bukura ka lindur me mua. Nëse për shumë gjëra kam punuar për t’i arritur, kjo më vjen natyrshëm. Mbaj mend që e vogël e doja të bukurën në çdo gjë, deri dhe kukullën e fabrikës e ndërroja sipas shijes sime. Kur mora pagën e filmit tim të parë, që ishte goxha e madhe për kohën, i bleva mamit dhuratë një tavolinë. E dua shumë shtëpinë dhe kujdesem që ambienti ku rri, të më ngrohë, të më mbushë shpirtin. Nuk është dëshirë për bukuri të jashtme. Ajo buron së brendshmi. Në shtëpi, edhe sikur fasule të kem për drekë, dua t’i shërbej në një pjatë të bukur, ta dekoroj tavolinën me një vazo me lule, sepse kam ndjesinë që edhe gjënë më të thjeshtë, mund ta pasurosh. Nuk ka lidhje me të kamurit. Ka disa vite që e kam shumë qejf që kudo të shkoj, të blej gjëra për shtëpinë. Shpesh bëj pjesë të çmendurive të mia edhe persona të tjerë. Një herë, nga Suedia, bashkë me Silvana Braçen kemi sjellë një pikturë në kornizë dhe në xham. Rëndonte shumë dhe ne të dyja goxha zonja e mbanim nëpër aeroport. Sesi na e lanë ta kalonim, nuk e di (qesh). Kur blej komplete filxhanësh apo pjatash, më thonë ‘do të të thyhen’, por unë e gjej mënyrën, i mbështjell, dhe treçerekun e sjell saktë nga Amerika në shtëpi. Nuk shpenzoj shumë, por më shumë di, sesa kam. Këtë ia njoh si meritë vetes. Edhe kur mobiloj shtëpinë, shoqeve mund t’u duket lodhje, por për mua nuk është. Unë shkoj, shikoj 20 modele, i gjej ku të jenë ato me dizajnin që dua, me modelin që dua dhe nuk kam marrë as dizajnues e as arkitekt. Nuk kam marka, por gjëra të bëra me një shije të ngrohtë, sepse në fund të ditës ajo është shtëpia e qetësisë sime.”

Mes pasioneve të shumta të Manjolës, arredimi dhe shtrimi janë më të dashurit. Për divën e muzikës së lehtë shqiptare, ka shumë rëndësi që kur mbledh njerëz rreth tryezës, t’u dhurojë çaste të bukura. Asaj nuk i pëlqen vetëm të krijojë çaste të tilla, por edhe të mbledhë njerëz si ajo vetë. Ky është virtyt i shpirtrave të bukur që ndiejnë dhe dinë të krijojnë atë rrjetën e padukshme të lidhjeve dhe çasteve që ndërtohen me zemër.

“Që e vogël, kam qenë me shumë humor. Mund të dukem shumë e rëndë (ma thonë edhe këtë), por jam njeri që kërkoj gjithmonë energji pozitive. Në çdo situatë përpiqem të gjej anën pozitive të gjërave. Në periudhën e karantinës, shihja shumë njerëz të dëshpëruar. Sigurisht që nuk po kalonim një çast të bukur, por unë vlerësoj gjërat e mira, jam mirënjohëse për shëndetin, për njerëzit dhe të mirat që kam.

E ndiej dramën si çdo qenie njerëzore, por përpiqem të gjej forcë te vetja dhe dua që kur dal, të transmetoj optimizëm. Dua të shoh njerëz që më japin forcë dhe jo që më mërzisin. Prandaj edhe në kohën e pandemisë, shpesh hidhja në ‘Instagram’ foto me një filxhan në dorë, me një vazo me lule.

Nuk jemi qenie të përsosura, por rëndësi ka të mësosh ta përmirësosh veten me kalimin e viteve. Rëndësi ka që të mbizotërojë e mira. Jam e ndjeshme dhe vlerësoj që nuk i kam bërë askujt diçka të keqe me dashje. Kam dhembshuri dhe mund të shkoj deri në fund të botës për dikë. Për mua nuk ka rëndësi nëse je eprori im e më ke në dorë apo je ajo punëtorja që më pastron sh – kallët. Jam më e ndjeshme me dikë që meriton vërtet respektin tim, sesa të sillem si larvë për të përfituar prej dikujt që nuk e çmoj.”

Kur ndan biseda me Manjolën, mund të zbulosh një anë shumë të thellë të botës së saj. Jo të gjithë e dinë që ajo ka një tërheqje të fortë për shpirtëroren dhe ndjesi të forta për brendinë e qenies njerëzore.

“Ti e kupton që janë gjëra të tjera ato që kemi të prekshme dhe të dukshme, por është edhe diçka brenda vetes që nuk e prek ose e shikon, ama është ndoshta më e rëndësishmja. Që e vogël kam besuar shumë. Prandaj edhe kur lexoj Dan Brown, një njeri me kulturë të jashtëzakonshme, e gjej shumë të vërtetë kur thotë që edhe kur gjërat janë krijuar në laborator, zanafilla e tyre nuk dihet se cila është. Ne jemi qenie shumë të përsosura, por zanafilla dhe origjina e shpirtit tonë janë çelësi në dorën e tjetërkujt, Atij që unë e quaj Krijues. Asgjë nuk lind nga asgjëja. Kur e kupton se ke brenda vetes një frymë, është diçka që i përket një dimensioni tjetër. Që e vogël shihja ëndrra dhe më dilnin. Jam bektashiane, kam një origjinë të lidhur me mistiken, janë gjërat që nëse i ke brenda shpirtit, herë pas here, ke një arsye pse e ndien. Nuk është naivitet. Nganjëherë nuk e kupton pse me disa persona të panjohur të krijohet një lidhje e fortë e me disa të tjerë nuk të ngjit. Besoj shumë tek astrologjia. Ne njerëzit jemi si shkëndija, si copëza, që ndikohemi nga koha, dielli, energjia e planetëve.”

Edhe Manjola Nallbani është një krijesë që ndikon bukur në ambientin përreth. Ajo është nga ato gra që natyra e ka bekuar me rini të përjetshme. Linjat e saj fizike janë të përkryera. Palestra nuk është shoqja e saj më e mirë, por ADN-ja dhe sportiviteti që ka, po. Ka ndërtuar një jetë të qetë e të bukur me shumë bekime brenda. I shkëlqejnë sytë kur flet për nipin e saj 6-muajsh, Glaukun, djalin e vëllait, ndërsa në sfondin e telefonit mban foton e tij. Ka lindur e rritur dy dashuri të mëdha për të cilat ndihet shumë krenare. Njëra është Megi, e cila falë meritave është bërë pjesë e një prej kompanive më gjigante në botë, “Bloomberg” në Londër, dhe tjetra është Sindi, çapkënia e ëmbël që ka rrëmbyer shumë nga gjenet artistike të së ëmës. Manjola ka të afërm, miq dhe shumë admirues, bekime që i numëron dy herë, por ndoshta një prej fateve të saj më të mëdha në jetë, është Sokoli, bashkëshorti i saj, i cili sa i ndryshëm duket me të nga jashtë, aq i ngjashëm është në thelb.

Manjola Nallbani është një personazh që e do jetën, por edhe jeta e ka dashur shumë atë. Siç besohet edhe në botën e energjisë, ti tërheq gjithmonë atë që do, dhe bekimet të shtohen, nëse je mirënjohëse për çdo të mirë që gëzon.

“Sa kohë të kem mirë njerëzit e mi më të dashur dhe veten, jam e bekuar. Ndonëse jam personifikimi i njeriut që kam punuar për të arritur gjërat që kam, përsëri jam shumë mirënjohëse. Edhe sot vazhdoj të punoj, si mama, si grua, si zonjë shtëpie, si profesioniste, por nuk e ndiej veten superiore. Mund të ketë njësoj gra të zonjat, që punojnë si unë, por që për një mijë arsye të tjera nuk kanë qenë aq me fat sa për të marrë atë që u takon. I jam shumë mirënjohëse edhe Krijuesit, edhe fatit, për ato që kam arritur dhe gëzoj.” »Sa kohë të kem mirë njerëzit e mi më të dashur dhe veten, jam e bekuar. Ndonëse jam personifikimi i njeriut që kam punuar për të arritur gjërat që kam, përsëri jam shumë mirënjohëse.

Gjuha e shpirtit

Ka një vlerë të paçmuar në individualitetin e Manjola Nallbanit. Ajo njeh dhe flet gjuhën e shpirtit. Kjo e bën shumë unike. Ndoshta nuk është rastësi që kënga e saj e fundit, e cila po kthehet në një hit, mban të njëjtin titull. Edhe pse krijimi trajton temën e atdhetarisë, duke u dhënë peshë rrënjëve nga vijmë, duket se në thelb të vetë qenies, veçanërisht të Manjolës, ka gjithmonë rëndësi fakti se nga vijmë. Kjo është një nevojë e brendshme e shpirtit, krijuar që në gjenezë të tij, e që artisten e madhe e mban të lidhur fort me njerëzoren, vlerat dhe pjesën më të bukur të jetës. Manjola Nallbani nuk është vetëm një divë, por një shpirt i lartë, që me përulësi kërkon gjithnjë përsosjen.

Fotografia: Armand Habazaj
Veshjet: SDF SDF
Make up artist: SDF SDF

Exit mobile version