Sipas raportimeve nga Italia, Roberto Mancini, po monitorohet nga PSG dhe Manchester United, por në anën tjetër FIGC dëshiron t’ia zgjasë kontratën si përzgjedhës i Italisë.
Marrëveshja aktuale e Mancinit me Italinë përfundon pas Kupës së Botës 2022, por presidenti i FIGC, Gabriele Gravina, ka zbuluar se dëshiron të ulet dhe të diskutojë një kontratë të re me ish-trajnerin e Manchester Cityt.
“Na kanë ngelur dy vjet nga kontrata, që është një kohë e gjatë, por projekti për të cilin po punojmë është afatgjatë”.
“Kështu që ne do të ulemi në kohën e duhur me Roberton dhe do të diskutojmë situatën”, kishte thënë ai përpara ndeshjes së Ligës së Kombeve të Azzurrit kundër Polonisë javën e kaluar.
Sipas Tuttosport , Mancini monitorohet nga disa klube të mëdha në Evropë.
Ai ishte lidhur me një lëvizje në Juventus verën e kaluar dhe tani PSG dhe Manchester United thuhet se janë të interesuar për të.
Mancini ka dalë pozitiv me COVID-19 dhe nuk ka qenë në krye të skuadrës në dy ndeshjet e fundit të Italisë kundër Estonisë dhe Polonisë.
E njëjta gjë do të ndodhë edhe këtë mbrëmje, ku Azzurrët do të ndeshen me Bosnjën. /Telegrafi/