Telegrafi

Manchester Unitedi ‘blindon’ portierin Dean Henderson

Manchester Unitedi ka nënshkruar kontratë të re me Dean Henderson, e cila do ta mbajë portierin në Old Trafford deri në verën e vitit 2025.

Portieri ka kaluar dy sezonet e fundit në huazim te Sheffield United dhe ka bërë përshtypje nën urdhrat e Chris Wilder duke fituar një thirrje në skuadrën e Gareth Southgate për ndeshjet e muajit të ardhshëm në Ligën e Kombeve.

Henderson mbajti 13 herë portën e paprekur në ligë sezonin e kaluar dhe shumë e kanë mbështetur atë për të zëvendësuar spanjollin David de Gea si zgjedhje e parë në Old Trafford.

Ole Gunnar Solskjaer vazhdon të mbështesë spanjollin, por është një tifoz i madh i portierit të ri të Anglisë dhe bisedimet janë duke vazhduar se çfarë roli mund të luante ai në United sezonin e ardhshëm.

Është vet klubi anglez që gjatë ditës së sotme ka njoftuar rinovimin e kontratës me Hendersonin edhe për pesë vite tjera, me mundësi vazhdimi për një vit tjetër.

“Manchester United është i lumtur të njoftojë se Dean Henderson ka nënshkruar një kontratë të re, e cila do ta mbajë atë në klub deri në qershor të 2025, me mundësinë e zgjatjes edhe për një vit më tej”, thuhet në njoftim.

Ende nuk dihet nëse Djajtë e Kuq do ta huazojnë edhe për një sezon portierin anglez apo do ta mbajnë në skuadër për t’i bërë konkurrencë De Geas për një vend titullari në formacionin e Solskjaerit. /Telegrafi/