Mediat angleze pretendojnë se lojtari i ri i Manchester United, danezi Rasmus Hojlund, do të mungojë në fillimin e sezonit në Ligën Premier për shkak të një dëmtimi të lehtë në shpinë.
Ish-sulmuesi i Atalantas kaloi te Manchester United në fillim të gushtit për një shumë prej 75 milionë euro plus 10 milionë euro bonuse, por do të duhet të presë për debutimin e tij.
Shkak është lëndimi i shpinës, për të cilin i duhen edhe disa javë rehabilitim dhe aktualisht po stërvitet sipas një programi individual.
“Është e vështirë të thuhet se si do të shkojë procesi, por mendoj se për momentin po ecën mirë. Ne do ta monitorojmë situatën dita ditës”, ka thënë Erik ten Hag pas miqësores ndaj Lens.
Djajtë e Kuq e nisin sezonin e ri me një vizitë te Wolverhampton më 14 gusht, por atje shkojnë pa Hojlund.
Danezi mund të jetë gati për t’u përballur me Arsenalin në Emirates më 3 shtator. /Telegrafi/