Telegrafi

Manchester City punëson avokatin më të fortë në Angli, do ta paguajnë njësoj sikurse yllin e skuadrës Kevin De Bruynen

Kampioni aktual i Anglisë, Manchester City, do të punësojë ekipin më të fortë të avokatëve të drejtuar nga njeriu që mbron ish-kryeministrin Boris Johnson.

Skandali rreth Manchester Cityt po bëhet gjithnjë e më i rëndë dhe Liga Premier ka akuzuar kampionët aktualë për shkelje të rregullave financiare gjatë disa viteve.

Man City kërcënohet me dënime të ashpra, nga konfiskimi i titujve dhe pikëve e deri te përjashtimi nga Liga Premier. Dhe që kjo të mos ndodhë, klubi Etihad do të punësojë, siç raporton Sun, një ushtri avokatësh që do të mbrojnë klubin në gjykatë.

Avokatët do të drejtohen nga njeriu që mbrojti Boris Johnson gjatë “skandalit Partigate”, David Philip Pannick KC, gjithçka me qëllim që Man City të “pastroj” emrin e tij.

Lord Pannick konsiderohet si një nga avokatët më të fortë të brezit të tij dhe do të përfshihet në betejën e ardhshme ligjore. Kjo do t’i kushtojë shtrenjtë Man Cityt, por mund t’i “pastrojë” qytetarët përgjithmonë.

Mediat angleze raportojnë se Pannick KC do t’i kushtojë Manchester Cityt njësoj si lojtari më i mirë i skuadrës Kevin de Bruyne. Është një pagë 460 mijë euro në javë. Kjo është paga që do të marrë avokati nëse çështja shkon në gjyq dhe punon me kohë të plotë.

Man City është nën hetim për periudhën nga 2009 deri në 2018. Liga Premier ka akuzuar Cityn për më shumë se 100 akuza për shkelje të rregullave financiare. Hetimi zgjati katër vjet. /Telegrafi/