Telegrafi

Man Utd po planifikon ndërtimin e një stadiumi të ri me 100 mijë ulëse – kostoja e ndërtimit do të ishte marramendëse

Manchester United raportohet se po punon në planet e së ardhmes për stadiumin ‘Old Trafford’ pasi hierarkia e klubit ka vendosur që të marr masa.

‘Old Trafford’ ka qenë shtëpia e Unitedit që prej se u hap në vitin 1910 dhe ka një kapacitet prej 74,310 tifozësh.

Por disa nga pjesët e stadiumit kanë mbetur në gjendje të mjerueshme gjatë viteve të fundit dhe shumë tifozë fajin ia kanë vënë familjes Glazer për shkak të mos investimit në rregullimin e atyre problemeve.

Sezonin e kaluar, disa sektorë të çatisë së stadiumit janë parë duke rrjedhur reshje të mëdha të shiut, ndërsa pamje ku uji me shpejtësi të madhe po mbushte shkallët e stadiumit, ishin bërë virale pas humbjes me rezultat 1-0 ndaj Arsenalit në prill.

Në muajin mars, bashkëpronari i ri Sir Jim Ratcliffe kishte vendosur që të krijojë një asamble për të vlerësuar opsionet nëse ‘Old Trafford’ do të rinovohet tërësisht.

Kjo asamble përbëhet nga legjenda Gary Neville, kryetari i Mançesterit, Andy Burnham dhe shefi ekzekutiv i këshillit të Traffordit, Sara Todd.

Dhe kjo asamble sipas The Athletic, ka arritur në një përfundim fillestar që një stadium prej 100 mijë ulësesh duhet të ndërtohet, por pa u rrënuar stadiumi krejtësisht.

Është raportuar se preferenca e Ratcliffe është që stadiumi i ri të ndërtohet nga e para, në vend se të rinovohet ‘Old Trafford’ në gjendjen e tij  aktuale.

Megjithatë, ka disa probleme të cilat ky grup punues duhet t’i konsiderojë. Njëra ndër to besohet se është kostoja, pasi një ndërtim i ri vlerësohet se do të kushtojë rreth 2 miliardë euro, ndërsa do kishte mjaftuar gjysma e atyre parave për ta rinovuar./Telegrafi/