Telegrafi

Man Utd fiton pa vështirësi ndaj Newcastle, Ronaldo debuton me dy gola

Manchester Unitedi ka fituar me rezultat 4-1 ndeshjen e tyre në shtëpi ndaj Newcastle United në kuadër të javës së katërt në Ligën Premier.

Djajtë e Kuq kanë marrë edhe fitoren e tretë nga katër ndeshjet e zhvilluara, pasi kanë triumfuar në Old Trafford ndaj ‘Laraskave’.

Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me dominim total të Unitedit, por edhe përkundër rasteve të shumta, vetëm një herë tunden rrjetën.

Goli i vetëm në këtë pjesë erdhi në minutat shtesë dhe ishte Cristiano Ronaldo, i cili shënoi në debutim nga afërsia për 1-0.

Në pjesën e dytë u zhvillua lojë më e hapur nga të dyja skuadrat, por përsëri Unitedi ishte skuadër më e mirë duke shënuar tri gola, kundrejt një të mysafirëve.

Megjithatë, mysafirët ishin të parët të cilët arritën të barazojnë në 1-1 me anë të Javier Manquillos (56’).

Unitedi u rikthye në lojë në minutën e 62-të dhe ishte përsëri Ronaldo, i cili shënoi për 2-1.

Bruno Fernandes (80’) u përkujdes që me një supergol të shënojë për 3-1, ndërsa Jesse Lingard në minutat shtesë vulosi rezultatin përfundimtar 4-1.

Pas kësaj fitore, Unitedi e sheh veten në pozitën e parë me 10 pikë, ndërsa Newcastle zë vendin e 19 me vetëm një pikë.

Në ndeshjen e radhës, Djajtë e Kuq udhëtojnë te West Hami, teksa Laraskat e presin Leeds Unitedin. /Telegrafi/