Klubi anglez, Manchester United ka anuluar marrëveshjen e madhe të sponsorizimit prej 40 milionë funtesh (47.75 milionë eurosh) me linjën ajrore ruse Aeroflot.
Lëvizja e Djajve të Kuq është në përgjigje të pushtimit rus të Ukrainës dhe vjen pasi United fluturoi në Madrid të martën me kompaninë tjetër Titan Airways.
“Në dritën e ngjarjeve në Ukrainë, ne kemi tërhequr të drejtat e sponsorizimit të Aeroflot”.
“Ne ndajmë shqetësimet e tifozëve tanë në mbarë botën dhe shprehim ngushëllimet tona për ata që janë prekur”, ka thënë një zëdhënës i Unitedit.
Man Utd ditch £40m Aeroflot deal following Russia's invasion of Ukraine https://t.co/7skXPaE7UI
— Scottish Sun Sport (@scotsunsport) February 25, 2022
Ekipi kishte një marrëveshje të gjatë tregtare pasi u lidh për herë të parë me kompaninë ruse në vitin 2013, por tani i ka ndërprerë lidhjet.
Marrëveshja e United me Aeroflot u rinovua në vitin 2017 në shumën prej 40 milionë funtesh dhe do të skadonte në vitin 2023. Aeroflot është linja ajrore kombëtare ruse dhe fluturon në 146 destinacione në 52 vende.
Përveç fluturimit të yjeve të United në të gjithë botën, Aeroflot gjithashtu i ofroi klubit udhëtime dhe këshilla logjistike, por Unitedi tani është në treg për një partner të ri fluturimi, me Qatar Airways në shqyrtim.
Unitedi thuhet se ka fituar fituar neto plot 100 milionë funte në total nga lidhja e tyre nëntëvjeçare me Aeroflot.
Është interesante se çmimi i aksioneve të Unitedit ra pas pushtimit rus të Ukrainës dhe u spekulua se mund të kishte ardhur pikërisht për shkak të lidhjes së tyre me kompaninë ajrore Aeroflot.
Që nga e enjtja, çmimi i aksionit kishte rënë nga 14,08 dollarë për aksion në 13,10 dollarë, një rënie prej shtatë për qindësh.
Unitedi shpreson që fundi i partneritetit të tyre me Aeroflot të paktën të ndalojë rënien e çmimit të aksioneve. Klube të tjera, si Schalke, gjithashtu po i japin fund lidhjes së tyre me kompanitë ruse dhe ato nuk sponsorizohen më nga Gazprom.
Edhe finalja e Ligës së Kampionëve është zhvendosur në Paris pasi UEFA konfirmoi se Shën Petersburg nuk do të jetë më mikpritës, ndërsa Formula 1 anuloi garën për Çmimin e Madh të Rusisë. /Telegrafi/