Manchester United mund t’i ndalohet e drejta për të garuar në Ligën e Evropës sezonin e ardhshëm, pavarësisht faktit se ata kanë fituar FA Cup.
United dukej se nuk do të arrinte të siguronte futbollin evropian sezonin e ardhshëm pasi përfunduan në pozitën e tetë në Ligën Premier në sezonin 2023/2024.
Kjo gjë ndryshoi pasi të besuarit e Ten Hag arritën që të mposhtin Manchester Cityn me rezultat 2-1 në finale të FA Cup të shtunën, për të siguruar një vend në Ligën e Evropës për sezonin 2024/2025.
Sidoqoftë, një rregullore e UEFA-s mund të bëjë që ‘Djajtë e Kuq’ të ndalohen që të marrin pjesë në garën e dytë më të rëndësishem të UEFA-s.
UEFA ka rregulla strikte në lidhje me pronësinë e disa klubeve, diçka që mund të shkaktojë probleme për Unitedin.
Klubi anglez janë në pronësi të INEOS, kompani që zotërohet nga miliarderi britanik Sir Jim Ratcliffe i cili po ashtu zotëron aksionet e klubit të OGC Nice.
Klubi francez ka siguruar kualifikimin në Ligën e Evropës për sezonin e ardhshëm, pasi përfunduan në pozitën e pestë në Ligue 1.
INEOS momentalisht zotëron 27 për qind të aksioneve të Unitedit, por planifikon që të investojë edhe 235 milionë euro të tjera, për ta çuar numrin e aksioneve në 30 për qind.
Sipas L’Equipe, UEFA nuk do t’i lejojë klubet që kanë të njëjtin pronar i cili kontrollon më shumë se 30 për qind të aksioneve, që të garojnë në të njëjtin kompeticion.
Nëse INEOS nuk arrin të gjejë një zgjidhje, atëherë rregulloret e UEFA-s citojnë se njëra prej United ose Nice me shumë mundësi do të detyrohej të garonte në Ligën e Konferencës./Telegrafi/