Manchester United raportohet se po planifikon të bëjë një lëvizje për yllin e Sporting Lisbonës, Geovany Quenda.
Pas katër vitesh e gjysmë plotë suksese tek Sportingu, Ruben Amorim u emërua si trajneri më i ri i Unitedit pas shkarkimit të Erik Ten Hag.
39-vjeçarit i është ngarkuar detyra për të rikthyer rezultatet pozitive në atë që ka qenë një fillim zhgënjyes i sezonit për klubin, pasi Ten Hag i udhëhoqi drejt fillimit më të dobët të sezonit në Ligën Premier në histori të klubit.
Dhe Amorim beson se 17-vjeçari Quenda mund ta ndihmojë atë në këtë drejtim, ka raportuar mediumi portugez A Bola.
Raportimi shton se United tashmë ka kontaktuar me përfaqësuesit e lojtarit pas kërkesës së trajnerit Amorim.
Quenda së fundmi ka nënshkruar një kontratë të re deri në vitin 2027 sipas së cilës klauzola e tij e lirimit është rritur nga 38 në 84 milionë euro.
Sensacioni portugez u bë pjesë e ekipit të parë të Sportingut këtë sezon dhe shpejt u bë lojtari i tyre më i ri që shënon gol për klubin.
Në rast se do të ketë diçka më konkretë, atëherë Quenda pritet të transferohet gjatë afatit kalimtar veror, pasi Amorim tashmë kishte konfirmuar se nuk do të transferojë ndonjë lojtar të Sportingut gjatë janarit./Telegrafi/