Miliarderi britanik Sir Jim Ratcliffe është afër blerjes së disa aksioneve të rëndësishme në Manchester United, që do ta bënte kompaninë e tij INEOS, një zë të fuqishëm në bordin e klubit anglez.
Media të shumta duke përfshirë Sky Sports pretendojnë se Ratcliffe tani do të paguajë 1.3 miliardë euro për n 25 përqind të aksioneve në “Old Trafford”, me Sheikh Jassim që shpresonte të blinte 100 përqind të klubit me një ofertë me vlerë rreth 5 miliardë euro përpara se t’i jepte fund përfundimisht interesimit të tij në ditët e fundit.
Një mbledhje e bordit me sa duket do të mbahet këtë javë për të arritur një marrëveshje përfundimtare me Ratcliffe, një tifoz i madh i United, i cili bëri një ofertë për të blerë Chelsean vitin e kaluar, para se këtë garë ta fitojë amerikani Todd Boehly i cili më pas mori pronësinë e klubit londinez.
Ka kaluar pothuajse një vit i plotë tani që kur Glazers të cilët morën kontrollin e plotë në United në vitin 2005, njoftuan për herë të parë se po fillonin procesin e eksplorimit të “alternativave strategjike” për klubin nëntorin e kaluar, që përfshinin investimet nga jashtë ose shitjen e plotë të tij.
Shpejt u bë një ‘garë mes dy kuajve’ midis Ratcliffe dhe Sheikh Jassim, me të dy palët që paraqitën oferta të shumta për të blerë aksionet e United.
Sheikh Jassim u zotua të fshinte të gjitha borxhet e vjetra të United dhe të investonte rreth 1.4 miliardë dollarë për të përmirësuar infrastrukturën e klubit.
Ratcliffe fillimisht dukej se synonte 69 përqind të aksioneve të Glazers në United, por kohët e fundit ishte raportuar se ai ishte i gatshëm të ndryshonte ofertën e tij për të marrë vetëm një pjesë të tyre në vend të kësaj.
United i dha fund serisë prej gjashtë vjetëve pa fituar trofe, teksa fituan “Carabao Cup” në “Wembley” në muajin shkurt dhe përfunduan gjithashtu në vendin e tretë në Ligën Premier gjatë sezonit të parë të Erik ten Hag në krye të klubit, për të siguruar një rikthim në Ligën e Kampionëve./Telegrafi/